Organizatat e dala nga lufta kanë reaguar ndaj vendimeve të fundit të trupit gjykues në Hagë, për të cilat kanë thënë se cenojnë thellësisht të drejtën për një mbrojtje të barabartë dhe të drejtë.
OVL-UÇK ka shkruar se sipas avokatëve mbrojtës, koha për përgatitje të mbrojtjes është shkurtuar në mënyrë drastike, pa paralajmërim dhe pa dëgjuar parashtrimet e mbrojtjes, ndërkohë që Prokuroria ka pasur në dispozicion 10 vjet për t’u përgatitur, avokatëve të të akuzuarve u janë dhënë vetëm 4 javë.
“Ky disproporcion tronditës rrënon çdo parim të drejtësisë së balancuar. Këto vendime janë marrë në mënyrë të njëanshme, pa transparencë dhe pa respekt ndaj palës mbrojtëse, duke shtuar edhe më shumë dyshimet se ky proces është larg nga drejtësia dhe gjithnjë më afër qëllimeve politike”, thuhet në reagimin e tyre.
Ata kanë thënë se ky nuk është më një proces i drejtësisë ndërkombëtare, por një sulm i strukturuar procedural ndaj së vërtetës për luftën çlirimtare.
“Standardet e dyfishta dhe trajtimi jo i barabartë janë kthyer në normë në këtë gjykim. Ftojmë institucionet ndërkombëtare, trupat monitoruese dhe organizatat për të drejtat e njeriut të shqyrtojnë me urgjencë këto shkelje dhe të kërkojnë rikthimin e barazisë procedurale dhe respektimin e të drejtave themelore të mbrojtjes”, thuhet mes tjerash në reagimin e OVL-UÇK’së.