Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka mbajtur sot një konferencë për medie pasi Specialja nuk ua ktheu atyre pajisjet që i morën gjashtë muaj më parë kur arrestuan dy krerët e kësaj organizate, Hysni Gucatin dhe Nasim Haradinaj.
Ushtruesi i detyrës së kreut të OVL-UÇK’së, Faton Klinaku, ka thënë se sot në përvjetorin e Epopesë së Dukagjinit dhe bombardimeve të NATO-s, avokati i organizatës, Tomë Gashi, ka shkuar që t’i marrë pajisjet të cilat duhej t’i kthente Specialja, shkruan Reporteri.net.
Tutje, avokati përfaqësuesi i OVL-UÇK’së, Tomë Gashi, tha se kanë kërkuar nga Specialja që t’u dërgojnë një njoftim se kur do t’i kthejnë pajisjet dhe kërkesa e tyre ka qenë që sot në ora 10:00 të shkojnë në zyrat e EULEX-it.
“Me autorizim të veçantë kam shkuar dhe i kam kërkuar, mirëpo një deklaratë e hetuesit, për arsye logjistike ata nuk mund ta bëjnë këtë. Me një kërkesë të veçantë kemi kërkuar që ata të na japin një sqarim se çfarë kanë gjet në pajisjet që na kanë marrë, dhe mendojmë që kjo ishte arsyeja se pse nuk na janë dhënë pajisjet për të cilat na kërkuan vet që të shkojmë t’i marrim”, ka thënë Gashi.
“Ideja fillestare është që kur ti merr një pajisje apo material për të hetuar, në momentin që e kryen hetimin i kthen ato aty ku i ke marrë. Kjo nuk u përfill nga Specialja dhe unë si avokat kam shkuar në Fushë Kosovë dhe i kam kërkuar pajisjet, por nuk janë dorëzuar pajisjet me arsyen se janë të zënë.”, ka thënë Gashi.
Tutje Gashi ka deklaruar se qe gjashtë muaj, OVL-UÇK’së nuk ka kërkuar që t’i marrin pajisjet, pasi që e dinë se nuk ka asgjë intimiduese në to dhe s’mund të ketë.
Ende nuk dihet data se kur do të vendosë Specialja që t’i kthejë këto pajisje, bëri të ditur avokati i OVL-UÇK’së.
Ndërsa, ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL-UÇK-së Faton Klinaku ri përsëriti se me veprimin e sotshëm Gjykata Speciale përves që është politike dhe e paligjshme ajo ka treguar dhe jo seriozitet.
“Gjykata Speciale është politike, e paligjshme, e skaduar e që i ka dal afati kushtetues, tash ata po tregojnë që janë jo serioz”, ka thënë Klinaku./Reporteri.net.