Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti lidhur me liberalizimin e vizave ka thënë se qytetarët duhet të kenë pasaportë biometrike për të udhëtuar në zonën Shengen, shkruan Reporteri.net.
I ftuar në emisionin DPT te Fidani, Ahmeti ka thënë se poashtu kërkohet dëshmia e qëllimit të udhëtimit, dhe nëse një person viziton një familjarë, kërkohet adresa e tij.
Tutje ai tha se nëse qytetarët udhëtojnë drejt familjarëve të tyre, atëherë përafërsisht 30-50 euro llogaritet dita, ndërsa nëse akomodimi është në hotel atëherë 50 deri në 100 euro, pasi mund t’ju kërkohet edhe dëshmia e financimit të udhëtimit.
“Unë do ta kisha përmendur edhe pasaportën, pasi duhet biometrike e cila ka së paku 3 muaj vlefshmëri nga data e daljes nga zona shengen. E dyta është dëshmia e qëllimit të udhëtimit. Sa i përket akomodimit, ai mund të jetë familjarë, janë kritere bazike që i vendos sistemi i Shengenit. Akomodimi nëse shkon në hotel, rezervimi mund të kërkohet në hyrje. Tek financat duhet ta vërtetosh që ke kapacitet t’i mbulosh shpenzimet.. Nuk ka shumë fikse që duhet të kesh në cash, por përafërissht shumat sillen 30-50 euro në ditë kur shkon te ndonjë i afërm, por në hotel 50-100 euro në ditë. NJë gjë tjetër është që mund të kërkohet është bileta kthyese.”, tha Ahmeti.