Jo rrallëherë ka pasur raste kur pacientët e klinikave dhe spitaleve publike në vend kanë ikur nga repartet kur kanë qenë duke u trajtuar. Kështu dyshohet se ka ndodhur së fundmi në Spitalin e Gjilanit, ku një 35-vjeçar ka arritur të largohet nga reparti i Psikiatrisë në këtë spital, raporton Sinjali.
Pacienti që u largua nga spitali që nga 15 korriku, u gjet gjatë ditës së djeshme.
Sinjali mëson se vendndodhja e 35-vjeçarit u lokalizua pasi Policia mori informacionet se i njëjti ndodhej në Gjakovë.
Njësitet policore kanë intervenuar dhe pasi fillimisht i është dhënë ndihma mjekësore në Spitalin Rajonal në Gjakovë, të njëjtin e kanë kthyer në Gjilan.
Lidhur me rastin është vënë në dijeni edhe Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme hetimore.