Sekretari Organizativ i AKR-së, Rrahim Pacolli, përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në Facebook, u ka bërë thirrje institucioneve të vendit që të marrin në shqyrtim dhe të trajtojnë, siç shkruan ai, “me urtësi këshillat e miqve tanë dhe aleatëve strategjikë siç janë SHBA-të dhe Gjermania lidhur me taksën e vendosur ditë më parë nga qeveria”.
“E tërë kjo duhet të bëhet duke pasur parasysh rrethanat e krijuara dhe proceset integruese të Republikës së Kosovës. Ne si vend kemi aspirata të kahmotshme të lëvizjes së lirë të qytetarëve dhe mallrave si dhe jemi pro vlerave evropiane. T’i japim hapësirë dialogut dhe paqes në rajon”, ka shkruar Pacolli.
Portali Koha.net ka provuar që të marrë një qëndrim prej ministrit të Jashtëm, Behgjet Pacolli, njëherësh kryetar i AKR-së, për të komentuar këtë qëndrim, por të enjten mbrëma këtë e ka pasur të pamundur.
Nuk e ka thënë prerë që është për heqjen e taksës por të merret në shqyrtim këshilla e miqve e cila është që Kosova ta heqë këtë taksë.
Koha.net ka biseduar me Rrahim Pacollin, i cili ka thënë se ky është qëndrim vetëm i tij, e jo i partisë.
“Kam kërkuar që të shqyrtohet. Nuk jam konsultuar me Behgjet Pacollin, është qëndrim i imi personal, unë mendoj ashtu”, ka thënë Pacolli. “Mendoj se për qytetarët është më mirë që të merret parasysh kërkesa e SHBA-së dhe Gjermanisë, që mallrat e destinuara për Republikën e Kosovës, të bëhet një zgjidhje”, ka shtuar më tej.
Kujtojmë se përmes një kumtese për media zëdhënësja e Departamentit Amerikan të Shtetit, Heather Nauert, ka thënë se sekretari i shtetit, Mike Pompeo, duke i ka konfirmuar presidentit të Kosovës Hashim Thaçi mbështetjen e palëkundur të Amerikës për Kosovën sovrane, të pavarur e të integruar në bashkësinë ndërkombëtare, ka kërkuar nga autoritetet kosovare shfuqizimin e taksës prej 100% për Serbinë dhe Bosnjë e Hercegovinën.
Përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini ka folur në telefon me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi të cilit i ka kërkuar heqjen e taksës ndaj Serbisë, transmeton Koha.net.
Mogherini i ka kërkuar Thaçit që të hiqet menjëherë taksa ndaj Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës dhe theksoi se, “vendimi i Qeverisë së Kosovës për të rritur tatimin mbi mallrat nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina në 100 për qind e ndërlikon situatën edhe më tej dhe nuk sjell ndonjë zgjidhje për problemet e njerëzve apo për aspiratat e tashme dhe të ardhme të Kosovës. Kjo është një masë që nuk ndihmon për të ndërtuar marrëdhënie të mira fqinjësore dhe duhet të revokohet”.
Qeveria gjermane, sikur edhe shumë vende të tjera të Evropës, është e shqetësuar me zhvilimet e fundit në Ballkanin Perëndimor – në veçanti për shkak të acarimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Siç njofton DW, zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Seibert ka kritikuar Serbinë për shkak të bllokimit të anëtarësimit të Kosovës në organizatën policore Interpol. Por ai tha se qeveria dhe kancelarja Angela Merkel janë edhe kundër masave të fundit të qeverisë së Kosovës.
“Gjermania nuk ka mirëkuptim fare për vendosjen e taksës prej 100 % nga ana e qeverisë së Kosovës për mallrat e Serbisë”, deklaroi zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Seibert.
Vendimin për taksën 100 për qind e ka marrë qeveria e Kosovës, pjesë e së cilës është edhe AKR-ja.
Kryeministri Ramush Haradinaj, ka theksuar edhe njëherë sot se taksa e vendosur ndaj prodhimeve serbe do të mbetet në fuqi deri kur Serbia ta njohë Kosovën dhe se askush nuk duhet të kalkulojë ndryshe.