Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Behxhet Pacolli, ka reaguar ndaj deklaratës së zëdhënësit të Qeverisë Përparim Kryeziut “se nuk është e vërtetë telefonata e famshme me nënkryetarin e Listës Serbe, në prezencën e kryeministrit”.
Pacolli i ka quajtur të vrazhda deklaratat e zëdhënësit të Qeverisë, derisa i ka kërkuar që t`i pyet presidenten dhe kryeministrin e vendit për telefonatën e siguruar nga ata.
Tutje, Pacolli ka thënë se është absurde që t’a bënte telefonatën pa kërkesën e presidentes dhe kryeministrit, ku ata kanë pasur nevojë.
“Unë nuk kam pasur nevojë për vota, dhe do të ishte absurde që ta bëja këtë telefonatë pa kërkesën e tyre, për te cilët ata kishin nevojë! Ata do t’ju tregojnë gjithashtu për rrethanat e telefonatës, që u bë në praninë e tyre, nga zyra private e Kryetares së atëhershme të Kuvendit, në orët e para të ditës kur ndodhi votimi për Presidenten. Si rezultat i kësaj telefonate, u sigurua prezenca e deputetit Adem Hodža, ne momentin e votimit te presidents. Zbardhja publike e këtij rasti nuk ka të bëjë me ndonjë skenar të caktuar. Dje, u pyeta në mënyrë eksplicite nga gazetari dhe nuk kam mundur të devijoj, të mos them të vërtetën!”, ka reaguar Pacolli në Facebook.
Ndryshe, deputeti i Kuvendit të Kosovës, Behgjet Pacolli për Tëvë1 të mërkurën ka thënë se një ditë para se Vjosa Osmani të zgjidhet presidente e shtetit, ka folur me Milan Radoiciqin në prezencën e presidentes Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti. Ai thotë se në këtë bisedë telefonike u peshkua një deputet për votimin e saj dhe praktikisht ajo u arrit.
Mirëpo, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu thotë se deklarata e Pacollit nuk është e vërtetë.
“Absolutisht e pavërtetë. Nuk ka asnjë rast në të cilin deputeti Pacolli të ketë komunikuar me Radoiçiqin në prani apo në dijeni të kryeministrit Kurti, aq më pak me kërkesë të tij”, thotë ai.