Deputeti Behgjet Pacolli ka bërë thirrje për hetim të pavarur pas zbulimit të pajisjes gjurmuese në veturën e gazetarit Vehbi Kajtazi.
Pacolli ka thënë se zbulimi i një pajisjeje përgjimi në veturën e gazetarit Vehbi Kajtazi është një kërcënim i rëndë për lirinë e medias dhe nënvizon rreziqet me të cilat përballen gazetarët kur ekspozojnë korrupsionin dhe krimin politik sot në Kosovë.
“Ky përshkallëzim, synon të frikësojë median dhe të shtypë transparencën. Veprime të tilla gërryejnë demokracinë”, ka shkruar Pacolli.
Raporti i fundit i progresit i BE-së paralajmëron për tendencen për kontroll nga ana e qeverisë së Kosovës mbi median, duke rrezikuar lirinë e shtypit—një gur themeli i demokracisë.
“Bej thirrje për një hetim të pavarur dhe të thelluar mbi këtë përshkallëzim alarmues të frikësimit të gazetarëve dhe nevojën urgjente për mbrojtjen e tyre personale dhe profesionale”, ka shkruar Pacolli.
“Shprehi solidaritetin tim ndaj Gazetarit Vehbi Kajtazi dhe gazetarët në Kosovë, duke i bërë thirrje qeverisë të sigurojë mbrojtjen dhe të drejtën e tyre për të raportuar pa kërcenime dhe të lirë dhe të mos hesht ndaj incidenteve që po ndodhin ndaj mediave”, ka shkruar ai.
“Një media e lirë është thelbësore për të ardhmen demokratike të Kosovës”.