Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz ka folur për miratimin e vendit sot në mbledhjen e qeverisë të pagës minimale në 350 euro bruto. Ajo ka thënë se ky vendim prek rreth 150 mijë punëtorë të cilët aktualisht marrin më pak se 350 euro në muaj, shkruan Reporteri.net.
Në postimin e bërë në Facebook, Ministrja Gërvalla thotë se me këtë rritje, e me mbështetjen ndaj familjeve e shtesat ndaj fëmijëve, po rritet mbështetja e qytetarëve për punësim dhe mirëqenie.
“Nga muaji tetor i këtij viti, asnjë i punësuar në Kosovë, pavarësisht sektorit apo vendit të punës, nuk do të paguhet më pak se 350 Euro në muaj për një orar të plotë pune. Sot, me vendimin që miratuam, kemi bërë realitet rritjen e pagës minimale, duke e çuar atë në 350 euro dhe duke e liruar plotësisht nga tatimi. Ky vendim prek drejtpërdrejt rreth 150 mijë punëtorë që aktualisht marrin më pak se 350 euro në muaj”.
“Me këtë rritje të pagës minimale, mbështetjen ndaj familjeve, shtesat për fëmijë dhe politikat e tjera fiskale, rrisin edhe një herë mbështetjen për familjet dhe qytetarët tanë në punësim dhe mirëqenie”, tha Gërvalla.
Tutje ajo ka shtuar se qeverinë e presin edhe shumë vendime tjera “që vijnë si rezultat i qeverisjes me duar të pastra dhe faqe të bardhë”.
Sot në mbledhjen e 218 të qeverisë së Kosovës është marrë vendimi që paga minimale të jetë 350 euro bruto.
Ministria i Financave, Hekuran Murati ka bërë të ditur se një vendim i tillë do të hyjë në fuqi nga muaji tetor, pasi duan t’i japin kohë kompanieve dhe organizatave të ndryshme.