Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, një ditë para se të vijë në Kosovë, ka qëndruar për vizitë zyrtare në Beograd, ku është takuar me homologun e tij serb, Aleksandar Vuçiq, raporton Gazeta Sinjali.
Në këtë takim, Pahor citohet të ketë thënë se “vetëm zgjerimi më i shpejtë i Bashkimit Evropian, mund të ruajë paqen dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor dhe të zvogëlojë rëndësinë e deklaratave për ndryshimin e kufijve”.
Sipas tij, ky zgjerim do të ishte i rëndësishëm për mirëqenien e qytetarëve të këtij rajoni dhe të gjithë Bashkimit Evropian, si dhe në të njëjtën kohë, thotë ai, është vendimtar për paqe.
Presidenti slloven vlerëson se procesi i anëtarësimit në BE është shumë i ngadalshëm dhe si i tillë, po forcon nacionalizmin dhe idetë për ndryshimin e kufijve.
Në një deklaratë pas takimit, ai tha se shpreson që zgjerimi të mbetet në agjendën e Bashkimit Evropian.
Pahor kishte mbështetur shpalljen e iniciativës “Open Balkan”, në vjeshtën e vitit 2019 në Novi Sad, duke thënë se këtë nismë e sheh jo si një alternativë, por si “një proces paralel që frymëzon perspektivën evropiane dhe është në mbështetje të saj”.
Ai u shpreh i shqetësuar për proceset aktuale në Ballkanin Perëndimor dhe deklaratat për ndryshimin e kufijve.
Sipas vlerësimit të tij, BE mund t’u përgjigjet këtyre deklaratave në mënyrë efektive vetëm me zgjerimin e shpejtë në Ballkanin Perëndimor.
Pahor ka shprehur mbështetjen e tij për dialogun Kosovë – Serbi, duke theksuar rëndësinë e zbatimit të marrëveshjeve të arritura deri më tani dhe kërkimin e një zgjidhjeje gjithëpërfshirëse.
Pahor nesër do të vijë në Kosovë, ku do të vizitojë njësitet sllovene në KFOR, si dhe do të takohet me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin dhe kryeministrin Albin Kurti.