Ajshe Ibrahimi, nutriciste/dietologe
Shkaku kryesor i pankreatitit është mbiaktivizimi i qelizave tretëse e cila rezulton në inflamacion të qelizave të Pankreasit.
Pankreatiti akut: Paraqitet në mënyrë të papritur dhe zakonisht largohet brenda pak ditësh.
Pankreatiti kronik: Mund të vazhdoj për disa vite, gjë që mund të çojë edhe në komplikime serioze si dështim i veshkave, diabet, kequshqyerje dhe kancer të pankreasit.
Faktorët të cilët mund të shkaktojnë Pankreatit:
-Konsumimi i tepërt i alkoolit
-Gurët e tëmthit
-Histori e operacionit abdominal
-Përdorimi i disa medikamenteve
-Pirja e duhanit
-Fibroza cistike
-Trashëgimia familjare
-Nivelet e larta të kaliumit në gjak ose trigliceridet e larta në gjak.
Ndikimi i ushqimit në shërimin e pankreatitit
Ushqimi i shëndetshëm luan një rol shumë të rëndësishëm në menaxhimin e pankreatitit.
Konsumimi i frutave dhe perimeve ndihmon në rritjen e fibrave dhe redukton marrjen e përgjithshme të kolesterolit.
Reduktimi i kolesterolit minimizon shanset e gurëve në tëmth, nivelet e larta të triglicerideve të cilat janë një ndër faktorët e rrezikut për zhvillimin e pankreatitit akut.
Një dietë e pasur me antioksidant (çokollata e zezë, dredhëza, qershia, domatja, qepa e kuqe, frutat e malit etj), gjithashtu ndihmon në eliminimin e toksinave (radikaleve të lira) gjë që redukton inflamacionin e pankreasit.
Qëllimet kryesore të dietës në menaxhimin e pankreatitit
Parandaloni kequshqyerjen
Të mbahen në nivelet normale vlerat e sheqerit në gjak (glikemia), të parandalohet apo menaxhohet diabeti, problemet e veshkave dhe çrregullimet e tjera lidhur me pankreatitin kronik.
Konsumoni dieta të pasura me proteina, fruta dhe perime
Ushqimet që duhet të shmangen gjatë pankreatitit
-Ushqimet me përmbajtje të lartë të yndyrës (ushqimet e skuqura-fërgesa, tiganisja)
-Ushqimet fast food (hamburgerët, tost, pizza etj),
-Ushqimet me përmbajtje të lartë të sheqerit (ëmbëlsirat, çokollatat, sheqeri etj),
-Pijet e gazuara dhe alkoolike
-Mishi me dhjamë dhe produktet e tij
-Yndyrat e përpunuara-trans yndyrat (vaji i palmës, margarina, puteri etj),
Ushqimet që duhet të konsumohen gjatë pankreatitit
-Ushqimet e pasura me proteina
-Frutat
-Perimet
-Drithërat
-Qumështi dhe produktet e tij me yndyrë të ulët etj
Të ushqyerit e shëndetshëm, përpos që është e rëndësishëm dhe gurthemel për një shëndet të gjithmbarshëm, është pjesë e rëndësishme e trajtimit për pacientët me pankreatit.
Dietat ushqimore bëhen në baza individuale, meqë gjendja e çdo pacienti është unike dhe kërkon një plan të personalizuar.
Pacientet me pankreatit kronik janë në rrezik të lartë nga kequshqyerja, për shkak të keqpërthitjes dhe mungesës së nutrititeve ushqyese (vlerave ushqyese si dhe për shkak të rritjes së aktivitetit metabolik).
Mungesa e vitaminave dhe mineraleve mund të shkaktojë osteoporozë, probleme me tretje, dhimbje stomaku dhe simptoma të tjera.
Prandaj pacientët me pankreatit duhet të testohen vazhdimisht për mungesën e vlerave ushqyese, pra dhe terapitë me vitamina duhet të bazohen në analiza vjetore të gjakut pasi që këto vlera janë të ndryshueshme.
Në përgjithësi, multivitamina, kaliumi, hekuri, folati, vitamina E, vitamina A, vitamina D dhe vitamina B12 mund të plotësohen në varësi të rezultateve të gjakut.
Shumë nga hulumtimet tregojnë se zakonet dietike ndikojnë në rrezikun e sëmundjes dhe përderisa disa ushqime mund të shkaktojnë sëmundje kronike, të tjerat ofrojnë cilësi shumë të mira mbrojtëse edhe pse shumë sëmundje mund të parandalohen, trajtohen nga ndryshimi i stilit të jetës.
(Autorja është fituese e çmimit për letërsi shkencore në dobi të njeriut në SHBA)