Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur t’ia vazhdojë masën e arrestit shtëpiak për dy muaj të tjerë të pandehurit Dejan Pantiq.
Në njoftimin për media nga kjo Gjykatë kanë thënë se departamenti Special ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale për vazhdimin e masës së arrestit shtëpiak, në çështjen penale kundër Pantiqit për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Kryerja e veprës terroriste.
“Gjyqtari i procedurës paraprake me datë 05.01.2023 ka marr Aktvendim dhe ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, të pandehurit D.P i vazhdohet masa e Arrestit Shtëpiak në kohëzgjatje edhe për 2 (dy) muaj, ashtu që Arresti Shtëpiak vazhdohet deri me datën 09.03.2023, konform nenit 183 paragrafi 1 nën paragrafi 1.1 dhe 1.2 lidhur me nenin 187 paragrafi 1 nën paragrafi 1.1 dhe 1.2, pikat 1.2.1, 1.2.2 dhe 1.2.3 të KPPK-së”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.
Sipas njoftimit, kundër këtij aktvendimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës në Prishtinë, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special.