Millan Radoiçiq nuk dëshironte të bëhej pengesë për kalimin e Projektligjit për Pagën Minimale dhe për votimin e një kandidati për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese. Për këtë e informonte Mimoza Kusari-Lilën. Një përgjim mes Radoiçiqit dhe Kusari-Lilës dëshmon përpjekjen e shefes së GP të Lëvizjes Vetëvendosje për koordinim me shefin faktik të Listës Serbe.
Ishte java e dytë e qershorit të vitit 2022. Mimoza Kusari-Lila po përpiqej t’i siguronte votat për kalimin në kuvend të Projektligjit për Pagën Minimale.
Për këtë arsye, shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje po koordinohej edhe me Listën Serbe.
Konkretisht me shefin faktik të këtij subjekti, Millan Radoiçiq. Këtë e dëshmon përgjimi të cilin e ka siguruar Paparaci. Në kohën e komunikimit, ai veç ka qenë në ndjekje të autoriteteve të Kosovës dhe në listën e zezë të ShBA-së.
Radoiçiq ndodhet në arrati nga autoritetet e Kosovës që nga 18 janari 2019 dhe i sanksionuar nga ShBA-ja në dhjetor të vitit 2021.
Komunikimi ishte realizuar me ndërmjetësimin e Sllavko Simiqit, ish-homologut të Kusari-Lilës nga Lista Serbe.
Me të nisur biseda telefonike, Simiq e informon Kusari-Lilën se ka mbërritur “te Millani [Radoiçiqi, v.j]” dhe i sugjeron të dëgjohej direkt me të.
“Hej kolege, ja mbërrita te Millani, dhe ja dëgjohu me të”, i thotë Simiq, Kusari-Lilës.
Hajde”, i përgjigjet Kusari-Lila, shefit të Grupit Parlamentar të Listës Serbe.
Pasi të dy merren vesh për kyçjen në bisedë të Radoiçiqit, Simiq ia kalon telefonin të fortit të Listës Serbe.
“Allo vendase, a po dëgjohemi?”, e pyet Radoiçiqi, Kusari-Lilën.
“Po, po, po të dëgjoj”, ia kthen ajo.
“E super, si jeni, a jeni të vyeshëm?”, e pyet sërish Radoiçiqi, zyrtaren e LVV-së.
“Ja isha në Kuvend dhe pata disa takime dhe derisa u lirova, tash po shkoj në shtëpi”, përgjigjet ajo.
Biseda mes Kusari-Lilës dhe Radoiçiqit përqendrohet te agjenda legjislative, konkretisht te Projektligji për Pagën Minimale dhe votimi i kandidatëve për një pozitë të gjyqtarit në Gjykatën Kushtetuese.
Asokohe, në Kuvendin e Kosovës po zhvillohej procesi i përzgjedhjes së dy gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Konkursi i parë për dy gjyqtarë të Kushtetueses kishte dështuar në një seancë të mbajtur më 5 maj 2022, disa javë para se të realizohej biseda Radoiçiq – Kusari-Lila.
Konkursi ishte rishpallur sërish dhe në nëntor të atij viti, Enver Peci kishte arritur të marrë votat e mjaftueshme për një pozitë të gjyqtarit në Kushtetuese.
“A, mirë, mirë, shiko, më tregoi Sllavko se keni nevojë për votat tona rreth Ligjit për rroga minimale…”, pohon Radoiçiq.
“Po?”, ia kthen Kusari-Lila.
“… dhe për votimin për gjykatësin e Gjykatës Kushtetuese…”, vazhdon komunikimin ish-nënkryetari i Listës Serbe.
“Po?”, konfirmon shefja e deputetëve të LVV-së.
Koordinimi për votat e deputetëve të Listës Serbe mes Kusari-Lilës dhe Radoiçiqit vazhdon.
Ai shprehet i hapur të “ndihmojë rreth kësaj” me disa kërkesa, për të cilat i kërkon Kusari-Lilës që të bisedojë me shefin e saj.
“Nuk shoh asnjë pengesë t’ju ndihmojmë rreth kësaj, por kemi edhe ne disa kërkesa të cilat ti duhet t’i shikosh me shefin tënd të na ndihmosh…”, i thotë Radoiçiq, Kusari-Lilës.
Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së nuk ia hedh poshtë “ofertën” Radoiçiqit.
“Hajt shohim tani…”, i thotë Kusari-Lila, Radoiçiqit.
Para se të përshëndeten, Radoiçiq, i informuar për agjendën legjislative, i rekomandon Kusari-Lilës që të takohej me “Sllavkon [Simiqin, v.j] të hënën”.
“Ja, pasi ky ligj është të martën, ti do të takohesh me Sllavkon të hënën, dhe ne gjithqysh jemi në lidhje, unë të përshëndes dhe ja ku e ke Sllavkon”, thotë Radoiçiqi.
Pasi ia kalon sërish telefonin Simiqit, ish-shefi i GP të Listës Serbe ia konfirmon Kusari-Lilës takimin për ditën e hënë me premtimin se “do të merremi vesh”.
“Kurrgjë kolege, shihemi ne të hënën dhe do të merremi vesh”, pohon Simiq.
“Shihemi të hënën”, ia kthen ajo.
Projektligji për Pagën Minimale ishte miratuar në parim në Kuvendin e Kosovës më 14 qershor të vitit 2022, disa ditë pas kësaj bisede mes Kusari-Lilës dhe Radoiçiqit.
Pavarësisht se Lista Serbe votoi pro në lexim të parë të Projektligjit, Lëvizja Vetëvendosje tha se i kishte siguruar votat e mjaftueshme për kalimin e tij. Deputeti i LVV-së, Armend Muja e quajti “lojë të opozitës” përfshirjen në votim të Listës Serbe dhe qëndrimin atë ditë në sallë të deputetëve opozitarë.
“74 deputetë kanë marrë pjesë në votim për pagën minimale, 68 vota ishin PËR. VV paraprakisht kishte siguruar kuorumin dhe votat për kalim të ligjit. Kur opozita e kanë parë që e kemi kuorumin edhe pa Listën Serbe, ata kanë qëndruar në sallë, pikërisht që t’ia japin një këso spin-i se kinse Lista Serbe ishte vendimtare”, tha Muja.
Si parti opozitare, Vetëvendosje kishte akuzuar qeveritë paraardhëse për bashkëpunim me Radoiçiqin dhe krijim të varësisë nga Lista Serbe, e cila shpesh ka qenë përcaktuese për formimin e qeverive.