Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), ka paralajmëruar grevë të përgjithshme para shtatorit, kur është paraparë të nisë viti shkollor.
Kreu i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, ka bërë të ditur se të gjitha institucionet shkollore, administratat në komuna, por edhe të punësuarit e tjerë, do të jenë në grevë të përgjithshme nga shtatori, deri sa Qeveria Kurti të gjejë zgjidhje për kërkesat e tyre.
Lidhur me këtë, Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Informacionit (MAShTI), Arbërie Nagavci, ka thënë se kërcënimi me grevë në arsim nga ana e SBASHK-ut është i papranueshëm.
“Kërcënimi me grevë për 1 shtatorin, ditën e parë të mësimit për vitin 2022 – 2023 është i papranueshëm. Çfarë do të mbërrihet me çfarëdo greve është vetëm dëmtim i procesit të mësimit për fëmijët tanë. Rezultatet në arsim nuk janë ato që i dëshirojmë”, ka shkruar ajo në Facebook.
Pas kësaj deklarate ka reaguar Jasharaj, duke thënë se nëse ministrja Nagavci dhe Qeveria e Kosovës vërtetë brengosen për nxënësit dhe orët e ditët e humbura nga greva atëherë duhet të angazhohen dhe të hapin dyert për dialog për të gjetur një zgjidhje të pranueshme.
“Ministrja paralajmërimin për grevë e quan kërcënim dhe tregon se as ajo e as Qeveria nuk e kanë në mendje ta ndryshojnë qasjen me sindikatat e as nuk do të qajnë kokën për kërkesat e tyre dhe prandaj ky paralajmërimi ynë, që nuk është kërcënim, por alarm, do të kthehet në realitet dhe greva e përgjithshme do të ndodh fatkeqësisht dhe fajtori i vetëm për këtë është Qeveria Kurti”.
Kreu i SBAShK-ut tutje ka thënë se “ajo që na bën të ndjehemi edhe më keq është se fatkeqësisht funksioni e kolltuku e kanë ndryshuar shumë znj. Nagavci”.
“Ajo dikur si deputete dhe anëtare e Komisionit Parlamentar për Arsim ishte shumë e zëshme dhe në janarin e vitit 2019 kishte deklaruar publikisht kur SBAShK-u ishte në grevë dhe pikërisht për shkak të pakënaqësive lidhur me Ligjin e pagave se ‘greva që nuk e deshën as vetë mësimdhënësit erdhi si rezultat i keqqeverisjes’ për të shtuar, veç tjerash edhe se …sikur Qeveria të mos i injoronte shqetësimet e SBAShK-ut sot nuk do t’i krijonte pakënaqësitë që i ka krijuar dhe nxënësit nuk do të mbeteshin në shtëpitë e tyre”.
“Shkaktari i vërtetë i grevës është Qeveria e Kosovës. Ministre atëherë dhe tani SBAShK-u ishte dhe mbetet po ky i njëjti dhe kërkesë kryesore edhe tani lidhet me Ligjin e pagave, por tani ju mundoheni ta arsyetoni Qeverinë pa as edhe një argument dhe se është fajtorja e vetme dhe e kritikoni pa as edhe një fakt SBAShK-un. Sa shumë ju ka ndryshuar funksioni dhe kolltuku juve znj. Nagavci”, ka deklaruar tutje Jasharaj.
Lidhur me paralajmërimet për greva në arsim dhe replikat Nagavci-Jasharaj, Telegrafi ka kontaktuar me njohësin e çështjeve të arsimit, Halim Hyseni, i cili ka thënë se veprimtaria e SBAShK-ut është shndërruar në faktor shkatërrues të sistemit arsimor në Kosovë.
“Me kërcënimet dhe shantazhet utilitare për organizimin e grevave, SBAShK-u është transformuar në një strukturë oligarke, e cila duke koketuar me parti politike për pushtet e ka marrë edhe rolin dhe fuqinë e Ministrisë së Arsimit, duke sjell vendime të dëmshme dhe destruktive me të cilat atakohet pandërprerë cilësia e edukimit dhe e arsimit”, deklaroi Hyseni.
Sipas tij, kërcënimet e shpeshta për organizimin e grevave janë cinike dhe hipokrite, pasi siç tha, nuk bëhen për të përmirësuar statusin social të personelit mësimor, por për interesat e kryesisë së sindikatës.
“Rrahman Jashari po e luan rolin e ministrit. Ai sillet si despot. Kërcënon se sa të jetë kryetar i SBAShK-ut, nuk do të ketë testim të mësimdhënësve. Jo pse nuk ka të drejtë për këtë sepse kjo çështje është shumë më komplekse meqë performanca e personelit mësimor nuk mund të përcaktohet me teste administrative e të pastandardizuara, por se SBAShK-u nuk ishte organ ekzekutiv në zhvillimin e politikave arsimore”, u shpreh tutje Hyseni.
Por, ndryshe nga Hyseni, nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj), kanë thënë se e përkrahin çdo protestë të SBASHK-ut që është në kuadër të veprimeve sindikaliste.
“KMDLNj konsideron se greva e paralajmëruar nga SBAShK-u duhet të përdoret vetëm si mjet i skajshëm pasi të jenë shterur të gjitha mundësitë e tjera. Gjithashtu, KMDLNj është kundër tendencës që kërcënimi me grevë të shndërrohet në një instrument shantazhimi dhe presioni”, thuhet në përgjigjen e tyre për Telegrafin.
Tutje, thuhet se nxënësit nuk duhet të pësojnë për shkak të mosmarrëveshjeve të Qeverisë së Kosovës me SBASHK-un, pasi “ekzekutivi po e mbron një interes politik kurse sindikata një interes material”.
Në fund, KMDLNj thotë se pret që Qeveria e Kosovës të sillet në mënyrë korrekte me SBAShK-un duke bashkëpunuar si partnerë për një interes të përbashkët në mënyrë që të mos e dëmtojnë procesin mësimor.
“Normalizimi i marrëdhënieve midis Qeverisë dhe SBASHK-ut del të jetë më problematik se normalizimi i marrëdhënieve me shtetet fqinje. Reagimin e MAShTI-t ndaj SBAShK-ut, KMDLNj e konsideron si arrogant, të papërshtatshëm dhe joprofesional”.
Sindikata e Arsimit tash e sa muaj kërkon që në Ligjin e Pagave të rritet koeficienti i pagave të mësimdhënësve. /Telegrafi/