Autoriteti Kosovar i Konkurrencës ka reaguar lidhur me paralajmërimet për ngritjen e çmimeve të bukës, kafesë dhe produkte tjera bazike, duke thënë se është institucion i pavarur dhe s’ka mandat për të përcaktuar apo ulur çmimet, por që mund të ndërhyjë kur ato përcaktohen në mënyrë të bashkërendur, shkruan Reporteri.net.
Në reagimin e tij, AKK thotë se ka filluar monitorimi i tregut të bukës dhe se po mbledh informata për të vlerësuar nëse rritjet e fundit të çmimeve në këtë sektor janë të arsyetuara apo në kundërshtim me ligjin për konkurrencën.
Gjithashtu, thuhet se po vëzhgohet edhe sektori i gastronomisë, në veçanti rritja e çmimit të kafesë.
“Pas përfundimit të fazës së analizës dhe grumbullimit të informatave, nëse identifikohen shkelje të Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës, Autoriteti do të ndërmarrë veprimet e nevojshme ligjore, në përputhje me kompetencat e tij”, thuhet mes tjerash në reagim.
Reagimi i plotë:
𝐊𝐨𝐦𝐮𝐧𝐢𝐤𝐚𝐭𝐞̈ 𝐩𝐞̈𝐫 𝐌𝐞𝐝𝐢𝐚 – 𝟑𝟎.𝟎𝟒.𝟐𝟎𝟐𝟓
𝐌𝐨𝐧𝐢𝐭𝐨𝐫𝐢𝐦 𝐢 𝐭𝐫𝐞𝐠𝐮𝐭 𝐥𝐢𝐝𝐡𝐮𝐫 𝐦𝐞 𝐩𝐚𝐫𝐚𝐥𝐚𝐣𝐦𝐞̈𝐫𝐢𝐦𝐞𝐭 𝐩𝐞̈𝐫 𝐧𝐠𝐫𝐢𝐭𝐣𝐞𝐧 𝐞 𝐜̧𝐦𝐢𝐦𝐞𝐯𝐞 𝐭𝐞̈ 𝐛𝐮𝐤𝐞̈𝐬, 𝐤𝐚𝐟𝐞𝐬𝐞̈ 𝐝𝐡𝐞 𝐩𝐫𝐨𝐝𝐮𝐤𝐭𝐞𝐯𝐞 𝐭𝐞̈ 𝐬𝐡𝐩𝐨𝐫𝐭𝐞̈𝐬 𝐛𝐚𝐳𝐢𝐤𝐞
Autoriteti i Konkurrencës i Republikës së Kosovës është institucion i pavarur, i mandatuar me Ligjin Nr. 08/L-056 për Mbrojtjen e Konkurrencës, për të garantuar funksionimin e tregut të lirë dhe të ndershëm në Republikën e Kosovës.
Fushëveprimi i Autoritetit përfshin parandalimin dhe ndalimin e marrëveshjeve të ndaluara ndërmjet ndërmarrjeve, keqpërdorimit të pozitës dominuese, si dhe kontrollin e përqendrimeve ekonomike, në rastet kur ato cenojnë konkurrencën në treg.
Autoriteti nuk ka mandat për të përcaktuar ose ulur çmimet, por ndërhyn kur çmimet përcaktohen në mënyrë të bashkërenduar ose artificiale nga ndërmarrje konkurrente, në kundërshtim me nenin 5 të Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës.
Për shkak të shqetësimeve të ngritura nga qytetarët dhe raportimeve të shumta në media, Autoriteti ka intensifikuar aktivitetet e tij për monitorimin e tregut.
Aktualisht, është duke u zhvilluar një analizë e thelluar e mbi 20 produkteve bazë për të analizuar arsyet e ngritjeve të çmimeve në tregun e Kosovës.
Gjithashtu, ka filluar monitorimi i tregut të bukës, dhe Autoriteti është në proces të mbledhjes së informatave për të vlerësuar nëse rritjet e fundit të çmimeve në këtë sektor janë të arsyetuara apo në kundërshtim me ligjin për konkurrencën.
Në të njëjtën kohë, sektori i gastronomisë, me theks të veçantë në rritjen e çmimit të kafesë, është po ashtu nën vëzhgim. Inspektorët e Autoritetit janë duke zhvilluar vizita në terren në qytete të ndryshme të Kosovës, duke mbledhur të dhëna dhe informata direkte nga operatorët e tregut.
Pas përfundimit të fazës së analizës dhe grumbullimit të informatave, nëse identifikohen shkelje të Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës, Autoriteti do të ndërmarrë veprimet e nevojshme ligjore, në përputhje me kompetencat e tij.
Gjithashtu, Autoriteti bazuar në nenin 49, mund të ndërmarrë masa të përkohshme, përmes të cilave fillon procedurën dhe merr vendim për vendosjen e këtyre masave ndaj ndërmarrjeve, kur ekziston rreziku i dëmtimit të pariparueshëm të konkurrencës në treg, veçanërisht kur veprimet e caktuara e çrregullojnë tregun. Me vendimin për masa të përkohshme, Autoriteti urdhëron ndërmarrjen të ndalojë një veprim të caktuar ose të zbatojë masa, kushte dhe afate për të eliminuar efektet e dëmshme në konkurrencën në treg.
Masat e përkohshme zgjasin deri në gjashtë (6) muaj. Autoriteti mund të zgjasë kohëzgjatjen e tyre nëse kjo është e domosdoshme.
Autoriteti mbetet i përkushtuar për të mbrojtur konkurrencën, konsumatorin dhe funksionimin e drejtë të tregut.