Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj ka folur në lidhje me paralajmërimin e Ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci për testimin e mësimdhënësve.
Ai ka thënë se si sindikatë do të reagojnë dhe do t’a kundërshtojnë një gjë të tillë.
Jasharaj u shpreh se një gjë e tillë do të ishte nënçmim dhe ofendim ndaj tyre.
“Ne do të reagojmë dhe do ta kundërshtojmë sepse do të ishte nënçmim dhe ofendim për njohuritë që këta njerëz i kanë marrë duke kryer fakultete, Mastere, e duke u përgatitur për sektorin e arsimit”.
“Ne kemi instituar dhe insistojmë që të bëhet vlerësimi i punës së mësimdhënësve, duke dërguar inspektorët profesional”, është shprehur ai në Klan Kosova.
Ndryshe, Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Informacionit, Arbërie Nagavci ka bërë të ditur se nga qershori i vitit 2024 do të fillojë testimi i mësimdhënësve që duan licencë të avancuar.
Nagavci, në një konferencë për media të mbajtur më 28 dhjetor në Prishtinë, ka thënë se mësimdhënësit nuk janë kundër këtij testimi që do të mundësojë avancimin në karrierë apo pagë më të lartë.
“Tashmë kemi finalizuar infrastrukturën ligjore, udhëzimet administrative që e mundësojnë testimin e mësimdhënësve, jemi në bashkëpunim me Këshillin shtetëror për licencimin e mësimdhënësve dhe partnerët tanë, edhe në proces të krijimit të udhëzuesit i cili do t’i bëjë të qarta të gjitha procedurat, kriteret dhe çdo gjë tjetër që është e nevojshme për realizimin me sukses të testit”, ka thënë Nagavci.
Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) e kundërshton idenë e testimit të mësimdhënësve, si mënyrë për t’i rilicencuar ata.