Kandidati për deputet nga Forumi Intelektual “E30”, Artan Nimani, ka folur mbi shtrenjtimin e energjisë elektrike që është kërkuar të ndodhë në fillim të muajit prill.
Nimani tha se qytetarët e Kosovës në tri vitet e fundit janë përballu me një rritje prej 145 për qind të energjisë elektrike dhe sipas tij, Qeveria Kurti është peng e mafisë energjetike.
“Në vitin 2021 kemi pasur rritje 100 për qind të çmimit të energjisë elektrike, në vitin 2022 kemi pasur 15 për qind rritje të çmimit, 30 për qind dhe tash mes 30 dhe 35 për qind. E kjo i bie që për tri vite radhazi të kemi rritje mbi 145 apo 150 për qind të faturës së energjisë elektrike dhe si pasojë janë konsumatorët ata që do ta paguajnë.
“Por mendoj se qeveria aktuale si rrjedhojë edhe e katër viteve të mëhershme është peng e mafisë energjetike dhe është e detyruar që t’i përmbush nevojat e atyre që e kanë kapur këtë qeveri dhe që po e mbajnë të ngërthyer në këto veprime, që për mua janë absurde”, tha Nimani në Edicionin Special në Klan Kosova.
Më tej, ai tha se propozimi për rritje të energjisë elektrike është i panevojshëm, pasi tha se tash jemi në fazën e daljes në veri ku konsumi vazhdimisht shkon duke u reduktuar.