Për shkak të gjendjes energjetike në vend dhe propozimit për shtrenjtim të rrymës, këtë javë në Kosovë janë paralajmëruar dy protesta për të kundërshtuar këtë paralajmërim.
Protesta e parë e thirrur nga një grup qytetarësh, pritet të mbahet të mërkurën në orën 12:00, në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, ndërkaq do të kërkohet të mos aprovohet bllok-tarifa e propozuar nga ZRRE-ja dhe të nacionalizohet KEDS-i, transmeton Gazeta Online Reporteri.net.
“Vendosja e bllok-tarifës do ta afektojë jetën dhe buxhetin e secilit prej nesh. Gjatë sezonit të dimrit konsumi energjetik i një familjeje mesatare në Kosovë e kalon në çdo formë 600 kWh. Kjo do të thotë që nëse ne e kemi paguar një faturë prej 58 eurove, me tarifën e re do të paguajmë rreth 108 euro”, thuhet në njoftim.
Ndërsa protesta e dytë do të mbahet më 27 janar e thirur nga PSD-ja.
Po ashtu, edhe qëllimi i kësaj proteste është i njejti, për të kundërshtuar paralajmërimet për rritje të çmimit të energjisë.
Kreu i PSD-së, Dardan Molliqaj ka ftuar sot që kësaj proteste ti bashkangjiten edhe opozita.
“Ftojmë deputetët që ta rrisin kundërshtimin, ta zgjërojnë gamën e aktiviteteve dhe t’i bashkohen formave të organizimit jashtë parlamentit. Kjo krizë ka përmasa që nuk mund të zgjidhen vetëm insitutcionalisht. Përveç përfaqësimit duhet pjesëmarrje aktive. Ftojmë deputetët që ta mbështesin protestën dhe me 29 janar, në ora 14:00, të shihemi në Shesh”, ka shkruar Molliqaj.
Në anën tjetër, Kosova këto ditë ka shënuar rritje alarmante të rasteve, ku ka disa ditë që po shënohen rreth 3000 raste të reja çdo 24-orë.
Për shkak të kësaj situate, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, ka bërë thirrje që të respektohen masat, ku mes të tjerash të mos ketë grumbullim, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
“Për shkak të rrezikshmërisë së lartë të përhapjes së COVID-19, bëjmë thirrje në veçanti për kujdes dhe mosgrumbullim. Ndërsa, rekomandojmë institucionet përgjegjëse të mbikëqyrin me përpikëri dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e masave për parandalimin dhe luftimin e pandemisë”, thuhet në apelin e IKSHPK-së, i cili është duke u përsëritur tash e disa ditë. /Reporteri.net/