Në Kosovë mund të ketë sërish ashpërsim të masave kundër koronavirusit nëse uk respektohen thirrje për respektim të lëvizjes së kufizuar.
Kjo është konfirmuar nga zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti, pas mbledhjes së Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqënie Sociale.
Ai para mediave ka thënë se MSH tërheq vërejtjen që qytetarët të zbatojnë masat për parandalimin e virusit, në mënyrë që të vazhdojë faza e dytë.
“Sot komiteti ka diskutuar situatën epidemiologjike dhe tërheq vërejtjen edhe njëherë që qytetarët të zbatojnë masat pasi kemi parë mosdisiplinim nga ana e qytetarëve në këtë kohë”, tha ai.
Tutje, Hoti ka shtuar se nëse rritet numri i rasteve me koronavirus, atëherë masat duhet të ashpërsohen sërish, shkruan Gazeta Metro.
“Në rast se numri i rasteve të infektuara rritet atëherë institucionet do të obligohen të shkojnë me ashpërsim të masave andaj edhe njëherë kërkojmë respektim të masave në mënyrë që vendi të shkojë drejt fazës së dytë”, ka thënë ai.
Kujtojmë se Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), ka bërë të ditur se vetëm të dielën në vendin tonë janë evidentuar 14 raste të reja me koronavirus, ndërsa të hënën 11 raste, duke shkuar kështu në 895 numri i përgjithshëm i të të infektuarve.
Ndërsa deri me tani janë regjistruar 28 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.
Derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 657 persona./gazetametro.net