Kur na ndajnë pak ditë nga protesta e 7 Korrikut e thirrur nga Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha dhe Fronti i Shpëtimit Kombëtar, deputetët dhe përfaqësuesit e kësaj force politike kanë zbritur në terren për të vijuar takimet me qytetarët.
Nënkryetari i demokratëve, Oerd Bylykbashi, thotë se 7 Korriku duhet të shërbejë si një kambanë alarmi për këdo nga kolegët e tij të cilët nuk pajtohen me gjendjen që po kalon vendi.
“Të gjithë ne e kemi për detyrë që të bashkohemi në këtë sfidë të madhe për të rrëzuar Edi Ramën. Kështu që unë mendoj që është një moment shumë i mirë që të gjithë të kuptojnë që bashkohemi me qytetarët, bashkohemi së bashku, objektivin e kemi të përbashkët për të bërë një opozitë të fortë dhe të vërtetë dhe 7 Korriku është një moment për gjithkënd që të tregojë se ne jemi me zgjedhësit, nuk jemi me interesat”.
Rritja e çmimeve për Bylykbashin është arsye e mjaftueshme për të protestuar të enjten në shesh me qytetarët, raporton TV Klan.
“Qytetarët sot po vuajnë në të gjitha aspektet, qeveria po i vjedh, po i grabit ditën për diell me mekanizma si këto bordet e transparencës që janë vendosur për të grabitur shqiptarët, ndërkohë që qeveria rezulton me fitim, merr para nga taksat për shkak të çmimeve të rritura nga qytetarë që varfërohen përditë e më shumë, po vendos sisteme taksimi edhe mbi shtresën e mesme, mbi biznesin, pra po i varfëron të gjitha shtresat”.
E teksa pjesa dërrmuese e deputetëve të grupit parlamentar kanë konfirmuar pjesëmarrjen në tubimin e së enjtes, demokratët kanë zyrtarizuar edhe spotin e protestës së 7 Korrikut. Me mesazhet ‘Shqipëria në rrezik’ dhe ‘mos thuaj ç’më duhet mua?’’.