Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK), Valbon Krasniqi tha se gjatë muajit janar mund të ketë rritje të numrit të të infektuarave me Covid-19.
Edhe pse thotë se nuk mund të bëhen parashikimi në këtë drejtim, ai shprehet i bindur se zbulimi i vaksinave do të mundësojë që të menaxhohet me këtë situatë.
Tashmë as shkencëtarët botërorë nuk po kanë guxim për të bërë parashikime sa i përket ecurisë së mëtutjeshme të kësaj pandemie. Është fat i mirë që tani kemi vaksinën në përdorim dhe ka filluar të aplikohet në disa shtete dhe presim që edhe Kosova ta marrë atë shpejt dhe presim që vaksinimi të ulë trendin e kësaj pandemie”.
“Megjithatë përderisa nuk e kemi vaksinën në përdorim dhe e kemi virusin prezent neve na mbetet vetëm t’i zbatojmë masat. Kështu që mund të jetë e pritshme që të kemi prapë faza të tilla të rritjes së numrit të pacientëve, por kjo do të varet nga aplikimi i vaksinës në vendin tonë”.
Tutje, ai ka folur edhe për masat që kanë marrë sa i përket menaxhimit me pandeminë, ku përmendi shtimin e numrit të shtretërve dhe sigurimin e oksigjenit.
“Ne qysh gjatë korrikut dhe gushtit kur u ballafaquam me fluksin e dytë të numrit të madh të pacientëve bëmë identifikimin e hapësirave të cilat do të mund t’i përdorim tash në nëntor dhe dhjetor. Kështu bëmë një plan detal dhe arritëm që vetëm në QKUK të shtojmë këtë kapacitet të shtretërve për 200 shtretër të kyçen në oksigjen qendror”.
“Përforcuam sistemin e oksigjenit, siguruam oksigjenin dhe identifikuam rreth 90 shtretër dhe 100 shtretër të tjerë. Më të ngarkuara gjatë kësaj kohe ishin spitalet e mëdha sidomos ai i Prizrenit, i Gjakovës dhe Pejës. Varësisht nga nevoja ne do të shtojmë shtretër”.
Krasniqit shtoi se QKUK-ja ka siguruar pajisje shtesë mjekësore, ku mund të bëhen analizat e diagnostikimit të kancerit të gjirit.
Poashtu, sipas tij, një shërbim që ofrohet për herë të parë në QKUK është Brahiterapia që nuk gjendet as në klinikat private në Kosovë.
Ai tha se gjatë vitit 2021 do të fillojnë edhe me shërbimet e IVF-së, mirëpo nevojitet edhe staf shtesë.
“Ne qysh në fillim kemi prioritizuar aktivitet që do t’i ndërmarrim, si furnizimin me oksigjen, riorganizimin komplet të stafit shëndetësor për ti riorganizuar mjekët, infermierët dhe shërbimet tjera mbështetëse në funksion të trajtimit të pacientëve me Covid-19 dhe poashtu në marrjen e veprimeve për të siguruar furnizime me barna ato që janë më të domosdoshme për trajtimin e pacientëve me Covid. Ne kemi siguruar pajisje shtesë mjekësore dhe tash aty mund të bëhen analizat e diagnostikimit të kancerit të gjirit qysh në fazat e hershme të kancerit”.