Policia e Kosovës ka parandaluar një rast të kontrabandës me mallra në një veturë me targa serbe, në rrugën Preshevë-Gjilan.
Përmes një komunikate për media, bëhet e ditur se gjatë kontrollit të veturës, janë gjetur të ngarkuara disa thasë me nxehëse të ndryshme për bojlerë dhe shporet elektrik, me vlerë të tregut mbi 10.000 euro.
“Njësia e TASK -FORC-ës Lindje, e përberë nga Policia dhe Dogana e Kosovës, në zbatim të masave për parandalim dhe luftimin e kontrabandës, kanë intensifikuar kontrollet taktike dhe operacioneve në zonën kufitare në mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë. Më datë 20.03.2024, në rrugën Preshevë-Gjilan, njësitet e lartcekura të TASK-FORC-ës, kanë tentuar ta ndalojnë veturën me targa të Serbisë. Drejtuesi i automjetit nuk ka zbatuar urdhëratë për ndalje dhe ka tentuar të kthehet në drejtim të Serbisë. Në dalje të fshatit Pasjan, kanë arrit të ndalojnë automjetin e dyshuar me drejtues Q.H., dhe pasagjer Y.Sh., që të dy nga Presheva. Gjatë kontrollit të automjetit, është vërejtur se në veturë kishte të ngarkuara disa thasë me nxehëse të ndryshme për bojlerë dhe shporet elektrik (934 copë, mall me origjinë nga Serbia, vlera e tregut është mbi 10.000 €)”, thuhet në komunikatë.
Më tej, thuhet se lidhur me rastin, të gjitha veprimet janë ndërmarrë në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit, teksa drejtuesi i automjetit është ndaluar për 48 orë.
Ndërkaq, malli i kontrabanduar dhe vetura janë sekuestruar dhe janë dërguar në terminalin doganor Dheu i Bardhë.