18 tetor 1934, Beograd: Paria e Gjilanit në ceremoninë e varrimit të mbretit Aleksandër I Karagjorgjeviq. Në varrimin e monarkut jugosllav morën pjesë personat më me influencë nga komuniteti shqiptar, serb dhe turk i qytetit dhe i nahijes.
Aleksandri i Parë u vra më 9 tetor 1934 në Marsejë të Francës gjatë një vizite shtetërore. Ai e ka pasur një besëtytni që të marteve të mos merrej kurrë me aktivitete shtetërore sepse edhe tre anëtarë të tjerë të familjes mbretërore kishin vdekur atë ditë. 9 tetori 1934 ishte ditë e martë. Por kësaj radhe ai, për shkak të respektit ndaj aleatëve francezë, nuk e refuzoi dot shëtitjen me veturë nëpër portin mesdhetar francez, ku edhe u vra.
Krajli Aleksandër i Parë u vra nga një komplot i bashkorganizuar nga VMRO-ja – organizata klandestine nacionaliste maqedonase – dhe ustashët kroatë të Paveliqit që vepronin në emigrim.
Tekqë krajli po vozitej me limuzinë me ministrin e jashtëm francez, Lui Bartunë, një kameraman ishte duke filmuar. Kësisoj, vrasja e tij konsiderohet si vrasja e parë e një lideri botëror e xhiruar me pamje filmike.
Aleksandër Karagjorgjeviqi ka qenë mbret i Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene në periudhën kur në Kosovë u shtyp dhunshëm lëvizja kaçake në krye me Azem Galicën. Por, siç shihet nga fotografia, jo pak shqiptarë nga nahija e Gjilanit – e me gjasë edhe qytetet e tjera shqiptare në Jugosllavi – ishin në mauzoleumin dinastik të Opllenacit në ceremoninë e varrimit të krajlit të vrarë.
Fotografia është marrë nga një faqe në gjuhën serbe që trajton historinë e Gjilanit.