Kur kanë kaluar vetëm një muaj, parku “Banja” në Gjilan të cilin e kishte përuruar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti së bashku me kryetarin Alban Hyseni, është bërë strehë e narkomanëve të qytetit, shkruan Radio Star.
Aty pranë lodrave të fëmijëve tashmë janë hedhur një numër i madh i shiringave të cilat përdoren nga përdoruesit e drogave.
Ky park është mirëpritur shumë nga banorët të cilët jetojnë në atë pjesë, derisa në redaksinë e Radios Star, kanë arritur disa fotografi në të cilat shihet se tani ai vend fatkeqësisht është rikthyer strehë e përdoruesve të drogave
Duke mos dashur të identifikohen, disa nga banorët thonë se kanë telefonuar Policinë e Kosovës në momentin kur kanë parë përdoruesit, por asnjë hapë nuk është ndërmarrë deri më tani për largimin e tyre.
Madje, banorët kanë treguar se organet e rendit as nuk kanë qenë të pranishëm ta shohin nga afër gjendjen në park.
Banorët apelojnë tek Policia që të ndërmarrin masa ndaj përdoruesve, pasi po rrezikohet jeta e fëmijëve, dhe nuk po munden të zhvillojnë aktivitet e tyre dhe të lozin me moshatarët për shkak të këtyre personave që tani pothuajse çdo ditë e vizitojnë parkun “Banja”. /Radio Star/