Në kuadër të investimeve në infrastrukturën rrugore, ka nisur asfaltimi i rrugës te Parku i Banjës, që lidh lagjen “Dheu i Bardhë” me pjesë të tjera të qytetit.
Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, përmes një videoje publike nga terreni.
Kryetari Hyseni theksoi se kjo rrugë do të transformohet plotësisht dhe se është pjesë e angazhimit për të përmirësuar infrastrukturën urbane me standarde të larta.
Asnjë rrugicë nuk do të mbetet pa u asfaltuar. I vijmë kohë secilës, por me kujdesin që punën ta bëjmë mirë, që të mos ketë nevojë për ndërhyrje të dyfishta,” – u shpreh Hyseni.
Ky projekt synon jo vetëm lehtësimin e qarkullimit, por edhe përmirësimin e imazhit të qytetit dhe cilësisë së jetës për banorët e zonës.
Komuna ka paralajmëruar vazhdimësi të investimeve në të gjitha lagjet, duke ndjekur një qasje të planifikuar dhe të qëndrueshme për zhvillimin urban të Gjilanit.