Pas më shumë se pesë vjetësh qëndrimi në burgjet serbe, Nezir Mehmetaj është liruar dhe është kthyer në shtëpi.
Lajmin e ka bërë të ditur vëllai i tij, Valon Mehmetaj, përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ka ndarë emocionet e familjes pas lirimit të tij.
“Vëllai im është liruar nga burgu dhe më në fund është kthyer në shtëpi. Kjo është një ditë e veçantë për familjen tonë. Faleminderit të gjithëve për urimet dhe mbështetjen që na keni dhënë gjatë këtyre viteve të vështira,” ka shkruar Valoni në Facebook, duke shtuar se kjo ngjarje shënon “një fillim të ri për të gjithë familjen”.
Nezir Mehmetaj ishte arrestuar në janar të vitit 2020 nga autoritetet serbe, nën akuza për krime lufte kundër popullatës civile në fshatin Rudicë të Klinës, gjatë vitit 1999, si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Në prill të vitit 2024, Gjykata e Lartë e Serbisë e kishte dënuar Mehmetajn me gjashtë vjet burgim, duke përfshirë edhe periudhën e kaluar në paraburgim. Pas përfundimit të dënimit të plotë, ai është liruar të premten dhe tashmë ndodhet pranë familjes së tij.