Një ditë pas arrestimit të kandidatit për asamble komunale në Novobërdë nga radhët e Vetëvendosjes, Rinas Zeqiri, i dyshuar për kultivim të kanabisit, ka reaguar kryetari i degës së kësaj partie në këtë komunë dhe njëherësh kandidat për kryetar, Abdyl Gashi.
Në reagimin e tij, Gashi ka theksuar se Zeqiri iu bashkua listës vetëm një muaj më parë dhe se nuk ka qenë më parë aktivist i VV-së, ndërsa ka mirëpritur veprimet e Policisë së Kosovës duke kërkuar përgjegjësi të plotë për çdo veprim të kundërligjshëm.
Statusi i plotë:
Të nderuar qytetarë të Artanës,
Dua t’ju njoftoj se, sipas raportimeve në media, kandidati për Asamble komunale nga lista e Lëvizjes Vetëvendosje, Rinas Zeqiri, është arrestuar nga Policia e Kosovës nën dyshimin për përfshirje në mbjelljen e bimëve narkotike.
Rinasi i është bashkuar listës sonë vetëm para rreth një muaji, me iniciativë personale dhe dëshirë për të kontribuar. Ai nuk ka qenë më parë aktivist apo anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje. E kemi njohur së fundi dhe kemi besuar se si i ri, me gatishmëri për të punuar, mund të jepte një kontribut në Asamble. Për fat të keq, prezantimi i tij rezultoi ndryshe nga pritshmëritë tona.
Megjithatë, ne mirëpresim veprimin e Policisë së Kosovës dhe besojmë se drejtësia do të veprojë. Për këtë akt, kërkojmë përgjegjësi të plotë dhe të qartë nga çdo veprim i kundërligjshëm.