Në fillim të muajit qershor, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pritet të mbledhë përfaqësuesit e partive politike në një takim të përbashkët me qëllim të caktimit të datës së zgjedhjeve lokale, transmeton IndeksOnline.
Zgjedhjet pritet të mbahen në vjeshtë, ndërsa si data të mundshme po përmenden 5, 12, 19 ose 26 tetori.
Partitë politike tashmë kanë nisur përgatitjet për këtë proces, duke caktuar edhe disa nga kandidatët për kryetarë komunash, në garën që pritet të jetë e ngjeshur në shumë komuna të vendit.
Kujtojmë se gjatë kësaj jave, presidentja Osmani ka emëruar anëtarët e rinj të partive politike në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).
Përjashtim ka bërë vetëm Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), e cila ka ndërruar përfaqësuesin e saj në këtë institucion, ndërsa partitë e tjera kryesore kanë vazhduar me të njëjtët anëtarë që kishin edhe në mandatin e kaluar.
Zgjedhjet lokale janë një test i rëndësishëm politik për të gjitha subjektet, veçanërisht për ato që synojnë të forcojnë praninë e tyre në pushtetin lokal./IndeksOnline/