Pas gati tri dekadash përkushtim dhe punë të palodhur në arsimin shqip, është pensionuar sekretari i shkollës fillore “Ramiz Cërnica” në fshatin Cërnicë të Komunës së Gjilanit, Sedat Hoxha.
Me një rrugëtim të pasur jetësor, arsimor e atdhetar, ai përmbyll një kapitull të rëndësishëm profesional duke lënë gjurmë të thella te brezat e nxënësve dhe kolektivit arsimor.
Formimi arsimor dhe angazhimi i hershëm shoqëror
Sedat Hoxha u lind më 8 tetor 1961 në fshatin Cërnicë. Shkollimin fillor e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmin e përfundoi në Gjimnazin “Zenel Hajdini” në Gjilan. Studimet universitare i kreu në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës.
Qysh në vitet ’70-ta, si nxënës i shkollës së mesme, ai u bë pjesë e aktiviteve kulturore e sportive të fshatit, të cilat udhëhiqeshin nga i ndjeri Nazmi Hoxha, burgosur politik, si dhe nga mësimdhënësit e asaj kohe.
Sedat Hoxha ishte pjesë e grupit dramatik si aktor në shfaqjen “Shtatë Shaljanët”, me të cilën interpretuan në fshatra të shumta të komunave të Gjilanit dhe Kamenicës.
Përballja me represionin dhe kontributi gjatë viteve ’80 e ’90
Gjatë viteve 1980–1981 ai shërbeu në ushtrinë e atëhershme jugosllave, ku pas shpërthimit të demonstratave të vitit 1981 në Kosovë, pozita e ushtarëve shqiptarë u vështirësua së tepërmi.
Me t’u kthyer nga shërbimi ushtarak në vitin 1982, ai nisi studimet juridike dhe mori pjesë në protestat e atëhershme, të cilat u shpërndanë me dhunë nga milicia serbe.
Përgjatë viteve ’80-ta dhe ’90-ta, në periudhën e suprimimit të autonomisë dhe ndryshimeve kushtetuese, Sedat Hoxha ishte pjesëmarrës aktiv në demonstratat që organizoheshin në Komunën e Gjilanit.
Gjatë dekadës së dytë të represionit serb, ai u angazhua në Këshillin për Financim të fshatit Cërnicë, detyrë të cilën e kreu me përgjegjësi të lartë për të mbajtur gjallë arsimin paraleltë shqip, si dhe mori pjesë në menaxhimin e situatës së rëndë në fshat.
Gjatë luftës së viteve 1998/99, familja e tij përjetoi fatin e dhimbshëm të dëbimit me dhunë nga forcat serbe, ashtu si mijëra familje të tjera kosovare, për t’u rikthyer në qershor të vitit 1999 për të rindërtuar jetën në liri.
Përkushtimi në shkollën “Ramiz Cërnica”
Në vitin 1999, Sedat Hoxha u punësua në Shkollën Fillore “Ramiz Cërnica” në Cërnicë si mësimdhënës i lëndës Edukatë Qytetare.
Për 9 vite me radhë punoi me ditar në dorë e me përkushtim ndaj nxënësve, për të kaluar më pas në detyrën e sekretarit të shkollës, ku shërbeu në aspektin administrativ deri në pensionim.
Gjatë kësaj karriere, ai pati privilegjin të punojë me mësuesit e tij të fëmijërisë, me nxënësit dhe me kolegët e gjeneratës, duke ndërtuar gjithmonë marrëdhënie të shkëlqyera njerëzore, respekt dhe frymë bashkëpunimi brenda kolektivit.
I martuar dhe rrethuar nga ngrohtësia familjare e bashkëshortes, djemve, rejave, nipave e mbesave, Sedat Hoxha largohet nga shkolla fizikisht, por me mendje e zemër mbetet përgjithmonë pranë shkollës “Ramiz Cërnica” dhe brezave që vazhdojnë rrugën e dijes./dita24h/










