Përveç grevës së mësimdhënësve dhe të një pjese të personelit mjekësor, që kanë filluar javë më parë, edhe mijëra shërbyes civilë kanë hyrë në grevë njëorëshe duke kërkuar rritje të koeficientit dhe nivelizim të pagave. Udhëheqës të këtyre grevave kanë paralajmëruar vazhdimin e tyre deri atëherë kur Qeveria t’i plotësojë kërkesat e tyre
Kryetari i Sindikatës së Shërbyesve Civilë, Mursel Zymberi, ka thënë për “Zërin” se nëse nuk realizohen kërkesat e shërbyesve civilë greva do të vazhdojë edhe në ditët në vijim.
“Jemi jashtëzakonisht të kënaqur me përgjigjen e shërbyesve civilë për grevën. Greva ka qenë mirë e organizuar dhe i janë përgjigjur punëtorët. Këshilli Grevist është duke e shqyrtuar grevën dhe po presim reflektim nga ana e Qeverisë, në të kundërtën greva vazhdon”, ka thënë ai pas grevës së djeshme.
Zymberi ka thënë më tej se janë duke pritur një ofertë dhe një reflektim nga Qeveria.