Shërbimi Korrektues i Kosovës, që nga data 14 shtator, do fillojë së aplikuara masat lehtësuese për të burgosurit.
Ndër masat që do nisë së zbatuari nga e hëna do të jetë edhe e drejta e shfrytëzimit të fundjavës në shtëpi, si dhe vizitat edhe të fëmijëve për të burgosurit. Këtë e ka bërë të ditur zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Rasim Selmani, për Ekonomia Online.
Ai ka thënë se më qëllim të ruajtës së shëndetit nga Covid-19, të gjithë të burgosurit që kthehen nga fundjava do të hynë në karantinë për disa ditë.
“Kemi marrë vendimin përmes urdhrit operativ, që nga data 14 shtator të fillojmë me benificionet për të burgosurit, pushimin jashtë institucionit, që janë vikendet në shtëpi. Dhe prej javës së ardhshme presim që të burgosurit ta gëzojnë këtë benificion, që nuk e kanë shfrytëzuar që nga 13 marsi i këtij viti për shkak të pandemisë”.
” Pas kthimit të burgosurit do t’i nënshtrohen karantinimit në hapësira të veçanta të institucioneve për disa ditë, në mënyrë që të ruhet shëndeti i personave të tjerë që qëndrojnë në institucione”, ka thënë Selmani.
Për shkak të situatës me pandeminë ShKK-ja, kishte reduktuar edhe vizita për të burgosurit. Por nga 14 shtatori, sipas Selmanit, gjithmonë duke respektuar masat, të burgosurit do të mund të presin nga dy vizitorë duke përfshirë edhe fëmijët.
“Kemi paraparë, po ashtu edhe shtimin e numrit të vizitorëve, ku ka qenë një vizitorë për një të burgosur, tani do të kenë dy vizitorë dhe do të jenë edhe fëmijët për vizita”, është shprehur Selmani.