Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pritet të zhvillojë këtë të diel një vizitë në Tiranë.
Siç raportojnë mediat shqiptare kreu i qeverisë së Kosovës do të takohet me kryeministrin Edi Rama dhe disa zyrtarë të tjerë shqiptarë, mes të cilëve dhe kryetaren e Kuvendit, Lindita Nikolla.
Agjenda e bisedimeve ende nuk është zbardhur e plotë, por sipas të dhënave në fokus të bisedës mes dy liderëve shqiptarë pritet të jetë marrëveshja e arritur në Ohër mes Kosovës dhe Serbisë për planin evropian që çon në normalizimin e marrëdhënieve.
Fundjavën që shkoi Kosova dhe Serbia u pajtuan në Ohër mbi zbatimin e një plani evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.
E mirëpritur në shkallë të gjerë nga diplomacia perëndimore, marrëveshja ka nxitur reagime në të dyja vendet.
Në Kosovë, shqetësimet lidhen kryesisht me zotimin e saj që t’i jap një shkallë më të gjerë të “vetë-menaxhimit” komunitetit serb dhe të zbatojë marrëveshjen për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në seancën e djeshme të Kuvendit ku raportoi për dialogun me Serbinë dhe takimin e Ohrit, ka pranuar se Asociacioni i komunave me shumicë serbe ekziston në marrëveshjen e dakorduar më 18 mars.
Kurti tha se aleatët ndërkombëtarë ia kanë bërë të qartë se detyrimet ndërkombëtare që janë arritur në emër të shtetit tonë nuk ndryshojnë, edhe kur qeveritë ndryshojnë.
“Nëse duam të trajtohemi si shtet dhe të njihemi si i tillë nuk mund t’i shmangë detyrimet nga traktatet ndërkombëtare që ne i kemi.
Ato detyrime nga e kaluara janë edhe të përfshira implicit në procesin e dialogut sepse janë ngritur gjatë bisedimeve dhe çdo gjë ne do ta trajtojmë nga çështja e Kushtetutës sonë. Çdo gjë që ne bëjmë në këtë drejtim është standard tashmë i pranuar nga çdo demokraci evropiane.
Unë nuk e kam ndërmend të kritikoj gjërë e gjatë për marrëveshjen e para 10 apo 8 vjetëve, për këto vendime të kaluara që janë aty në arkivat e Brukselit…Por, aleatët tanë na kujtojnë se marrëveshjet janë arritur në emër të shteteve tona me detyrime edhe kur qeveritë ndryshojnë”, u shpreh Kurti ndër të tjera.
Kryeministri tha se do të kundërshtojnë çdo synim për etno-nacionalizëm territorial. Ai përsëriti se nuk do të pranojnë asnjë model të autonomisë territoriale.