Sot, përfundova mandatin tim të dytë si kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), dega në Gjilan, subjekt ky i cili funksionon me një demokraci të avancuar, gjë që e kemi dëshmuar disa herë me vet faktin se Aleanca në Gjilan ka pasur disa kryetar dege e disa kandidat për kryetar komune.
Meqë nuk po i jap fund karrierës sime politike, Udhëheqja ime me Aleancën në Gjilan më ka mundësuar të kuptoj saktë realitetin me të cilin ballafaqohen qytetarët dhe nevojat që ka komuna e Gjilanit.
Ndihem krenar që isha pjesë e thuajse çdo familje e cila kishte nevojë, sikurse ndihem krenar që kam arritur sado pak të kontribuoj për Gjilanin e Anamoravën nga niveli qendror për t’ia përmirësuar e lehtësuar jetën qytetarëve, dhe për t’ia ndryshuar pamjen Gjilanit. Sot kur po flasim, Gjilani duket më ndryshe se kurdo herë e në çdo pushtet.
I falënderoj nga zemra të gjithë njerëzit e Aleancës me të cilët kam bashkëpunuar, strukturë e degës, kryetar nëndegësh, aktivistë, dhe qytetarë të cilët më përkrahën vazhdimisht që të jem në shërbim të tyre.
Aleanca në Gjilan sot zgjodhi kryetarin e ri, si dhe kandidatin për kryetar të Komunës sonë. Agim Zuzaku, një djalë i dëshmuar prej kohësh, një aktivist i kamotshëm i familjes sonë politike, një drejtor komune që krijoj standard të ri në qeverisjen lokale, një profesionist i mirëfilltë e njeri i afërt me të gjitha, do të jetë alternativa më e mirë për Gjilanin. Agimi sot po vazhdon rrugëtimin e tij politik porse në rrethana e përgjegjësi të reja. Besoj fuqishëm që bashkë do t’ia dalim ti japim Gjilanit dhe qytetarëve tanë më të mirën nga ne, atë që realisht e meritoni ju, e meriton komuna jonë.
I falënderoj të gjitha mediat lokale me të cilat bashkëpunuam kohë të gjatë e gjithnjë në interes të qytetarëve dhe zhvillimit të Gjilanit. Puna jonë e vazhdueshme nuk do të ishte në nivelin e duhur pa ju. Ishit të sinqertë, profesional dhe gjithnjë keni kërkuar atë që realisht i intereson qytetarit.
Falënderim e mirënjohës përjetë kryeministrit Ramush Haradinaj për përkrahjen time të vazhdueshme duke mos kthyer mbrapa asnjë projekt që i ka shkua në tavolinë për Gjilanin dhe Anamoravën në përgjithësi. Haradinajn e konsideroj si bashkëpunëtorin më të mirë në jetën time me të cilin kam arritur të bisedojë për shumë gjëra e të gjejë përkrahje për të gjitha çështjet. Nuk njoh edhe një si ai.
Të dashur aktivistë e qytetarë,
Kjo nuk është një lamtumirë, është një ndryshim që e kërkon demokracia pa të cilën ne nuk do të kishim pasur mundësi të funksionojmë normalisht. Unë ju them; mirupafshim pas pandemisë e në shumë procese tjera.
I juaji përherë,
Rexhep Kadriu