Kandidati për deputet në listën e Vetëvendosjes, Valdrin Ahmeti, ka postuar në Facebook fotografi të shtëpisë, veturës e biznesit të tij, për të treguar gjendjen financiare, për të cilën ish anëtari i Vetëvendosjes, Frashër Krasniqi, tha se ka biznese të cilat janë shumë fitimprurëse.
Ahmeti gjithashtu tregoi se është në përfundim të studimeve, teksa thotë se notat në shkollën e mesme i ka pasur të mira, e për këtë thotë të pyeten shokët dhe arsimtarët e shkollës përcjellë “Bota sot”.
Postimi i plotë i Ahmetit:
Sa fillova të përmendja aferat milionëshe të PDK-së e AAK-së, filluan sulmet që më janë bërë edhe më parë. Ato afera po e mbajnë vendin tonë të pazhvilluar. Por banditët nuk duan të lënë që ato të degjohen, sepse atëherë pse do të vinin në debat.
Meqenëse mbrëmë ishte e vështirë të sqarohet çkado e tentativa ishte që me ofendime të ulëta të pamundësohej debati e të mbeten shpifjet në opinion publik. Nuk i përgjigjem banditëve por dua të sqarohem para opinionit publik i cili me të drejtë e sheh me sy tjetër Lëvizjen. Më poshtë gjeni përgjigjet për gjitha dilemat që kanë mundur të mbesin:
1. Sa jam fshehur e sa kam protestuar e arrestuar e dijnë të gjithë. Ata që kanë qëndruar të fshehur e duke u maskuar i njeh mirë opinioni. Unë nuk e shoh si kapital politik aktivizmin tim por si kontribut ndaj shoqërisë e kombit. Andaj dhe s’di e s’dua t’i thurrë lavde vetes për atë pjesë.
2. Kjo në fotografi është shtëpia ime. Me shumë mund e kemi ndërtuar me prindërit që nga viti 2000. Viti 2019, ne jetojmë vetëm në katin e parë. Katet tjera janë të parregulluara.
3. Në fotografi është vetura, pronë e motrës sime, e kemi blerë bashkarisht me të.
4. Unë jam rritur në një familje të varfër. Të dy prindërit mësimdhënës. Gjithë jetën jam munduar të mbajë nga 2 vende pune që të përmirësojë gjendjen ekonomike familjare. Po njëjtë jam munduar me shumë iniciativa si biznese të vogla e familjare. I vetmi që po funksionon disi është ky me Jal Kamping. Këto janë çmimet e Jal Kamping (që është biznesi që i referohej), andaj mund ta llogarisni vetë sa mund të fitosh me këto çmime.
5. Jam në përfundim të studimeve në fakultetin ekonomik.
6. Çfarë nxënësi kam qenë e dijnë të gjithë profesorët dhe shoqet e shokët nga gjimnazi “Sami Frashëri”.
7. Për vendimin e komisionit jam sqaruar dhe më parë. Përsëri: PO kam gabuar, kam marrë vendimin, e kam respektu, por kurrë NUK JAM SHANTAZHU!
Edhe sulmi fizik ndaj Hakiut ishte shpërfaqja e gjithë kësaj fushate ndaj Lëvizjes. Pra harro krimin e korrupsionin e AAK e PDK, e sulmo Lëvizjen.
Të gjitha sulmet që më bëhen, më bëhen pikërisht pse as nuk shitem e as nuk blihem e as nuk frikësohem e shantazhohem.
VETËVENDOSJE!