Gjuajtja me ujë që ia bëri deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ministrit të Bujqësisë, Faton Peci, në mbledhjen e Komisionit Parlamentar të martën, dhe gjuha që u përdor në përplasje, janë dënuar nga Instituti Demokratik i Kosovës.
Në një deklaratë për media, KDI-ja ka vlerësuar se kjo mbledhje u përcoll në frymë të acaruar e ishte vazhdimësi e debatit të ashpër që patën deputetja Musliu me ministrin Peci në seancën e fundit plenare.
Kjo organizatë ka thënë se Kuvendi duhet të shërbejë si platformë e diskutimeve përmbajtjesore në mes të partive politike, dhe duhet hequr dorë nga gjuha joparlamentare dhe përplasjet politike.
Duke marrë parasysh përdorimin e shpeshtë të gjuhës dhe sjelljeve jo parlamentare nga ana e deputetëve në Kuvend, KDI-ja ka përsëritur kërkesën e fillimit të procesit të draftimit të Kodit të Etikës, në të cilin ka propozuar përfshirjen e sanksioneve disiplinore ndaj deputetëve pengues dhe atyre që përdorin gjuhë e sjellje joparlamentare.