Pas Drejtorisë së Arsimit në Prishtinë, edhe në Komunën e Skënderajt, Drejtoria e Arsimit ka marrë vendim për ndalimin e përdorimit të Doracakëve “Edukimi seksual dhe shëndeti riprodhues”
Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi për media nga Komuna e Skenderajt, shkruan Reporteri.
“Drejtoria e Arsimit e Komunës së Skenderajt, ka marrë sot vendim për ndalimin e përdorimit të Doracakëve “Edukimi seksual dhe shëndeti riprodhues” 1-5, 6-9, 10-12, në të gjitha shkollat e komunës. Drejtori për Arsim, Kastriot Duraku, ka thënë se arsyeja e këtij vendimi, i cili është marrë në mirëkuptim dhe bashkëpunim edhe me mësimdhënës, ka të bëjë me degradimin e familjes kosovare nga ana e institucioneve përgjegjëse, dhe si i tillë nuk do të përdoret në asnjë institucion arsimor në komunën e Skenderajt deri në revidimin e tij”, thuhet në njoftim.
Komuna e Prishtinës ka ndaluar përdorimin e Doracakëve “Edukimi Seksual dhe Shëndeti Riprodhues” 1-5, 6-9 dhe 10-12 në shkollat e Prishtinës, pas reagimeve të shumta për përmbajtjen e tyre, shkruan Reporteri.net.
Për këtë ka njoftuar Nënkryetarja e Prishtinës, njëherit Drejtoresha për Arsim, Jehona Lushaku-Sadriu, e cila u ka bërë thirrje edhe komunave të tjera që të marrin një vendim të tillë.
Sipas saj, përmbajtja në këta doracakë është edhe abuzuese me fëmijët.
Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë përmes një postimi të bërë në faqen zyrtare në Facebook kanë bërë të ditur se do të rishikohen doracakët në lidhje me edukatën seksuale.
Në lidhje me debatin e ditëve të fundit, MASHT-i ka njoftuar se “s’ka kurrikulë të veçantë për edukim seksual e as tekste shkollore ku fëmijët mësojnë për edukimin seksual”./Reporteri.net/