Ka disa orë që në publik po qarkullon një dokument që thuhet se ka rrjedhur nga Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë. Sipas këtij dokumenti aludohet se Ukshin Hoti është vrarë, e më pas kufoma e tij është djegur me eksploziv dhe më tej është fshehur për të humbur gjurmët e krimit.
Kështu ka shkruar në “Facebook” kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe ka bërë thirrje që organet relevante në Kosovë (Ministria e Drejtësisë e Kryeministria, Departamenti për Krime Lufte i Prokurorisë Speciale, dhe Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur), urgjentisht të koordinohen dhe të marrin hapat e duhur që të përcaktojnë vërtetësinë e kësaj informate kaq të rëndësishme.
“Informacione të tilla shkaktojnë dëm të vazhdueshëm emocional dhe psikologjik te familja e Ukshin Hotit, tek ata që e njohën dhe e duan, dëm ky që vjen direkt si rezultat i krimeve të kryera nga Serbia. Kjo çka po i bëhet familjes Hoti me informacione të tilla, është viktimizim i vazhdueshëm. Familja dhe e gjithë shoqëria meriton përgjigje, ashtu siç meritojnë të gjitha familjet e secilit person që ende mungon”, ka kërkuar ai.
Tutje Kurti thotë se Kosova duhet t’i ketë prioritet krimet e kryera gjatë luftës dhe se kjo situatë duhet të na kujtojë kolektivisht që është e papranueshme bërja e pazareve në bisedime me Serbinë, për më shumë që vijon të ngelet i pasqaruar fati i të zhdukurve. Ish kryeministri në fund thotë se është momenti i fundit që Kosova të tregojë seriozitetin e saj në raport me ballafaqimin me të kaluarën.