Pas publikimit të dosjes së UNMIK-ut për vrasjet politike të pasluftës, ka reaguar ish-deputeti i LDK-së, Fetah Rudi.
Siç thuhet në raportim “ dosja e UNMIK-ut për ish-deputetin me inicialet S.R, që ka siguruar Albanian Post flet për vrasjen e Xhemail Mustafës, ish-anëtarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës që ishte edhe zëdhënës i partisë dhe këshilltar i lartë për media i presidentit të atëhershëm Ibrahim Rugova, atë të Ekrem Rexhës, ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe atentatin ndaj Fetah Rudit, ish-deputet i LDK-së.
Rudi, në një shkrim në llogarinë zyrtare në Facebook, ka thënë se organizatori dhe autorët, si dhe armët e përdorura në të tri këto raste janë të njëjtë.
“Siç edhe keni lexuar tanimë, në media të ndryshme është publikuar një dosje e UNMIK-ut, e në të cilën jepen detaje për vrasjen e Ekrem Rexhës –Drinit, Xhemail Mustafës dhe atentatin ndaj meje. Në bazë të kësaj, organizatori dhe autorët, si dhe armët e përdorura në të tri këto raste janë të njëjta. Këto detaje nuk janë një risi për mua, këto janë vetëm konfirmim i asaj që e kam thënë tash e 20 vite. Unë atëherë, tash e gjithmonë do ta them vetëm të vërteten”, ka thënë Rudi.
Ai tutje ka shkruar se është mëkat që tash e 20 vite, drejtësia ndërkombëtare dhe ajo vendore, i dinë me detaje organizatoret e vrasësit të cilën bën vrasjet politike në Kosovë, dhe nuk ndërmorën asnjë hap për zbardhjen e tyre.
“Edhe pse organet vendore i kane dite gjitha këto, ato jo qe morën diçka për t’i zbuluar e arrestuar, por ata i veshin me petkun e institucioneve”, thotë tutje.
Veprimtari i LDK-së, ka theksuar se gjithnjë ka qenë i gatshëm për të bashkëpunuar me drejtësinë lidhur me rastin në fjalë.
“Unë çdo herë kam qenë i gatshëm për bashkëpunim me drejtësinë, si atë ndërkombëtare edhe atë vendore, në mënyrë qe atentati ndaj meje, dhe vrasjet tjera politike të zbulohen dhe autoret te marrin dënimin e merituar”, deklaron ai.
Sipas tij, drejtësia ndërkombëtare dhe shteti i Kosovës ka dështuar.
“Tash shpresa e vetme për zbardhjen e vrasjeve politike është Gjykata Speciale, e cila shpresoj dhe besoj qe do ta bëj një gjë të tillë. Edhe njëherë, kjo dosje është konfirmim i asaj që kam thënë tash e 20 vite, organizatoret dhe vrasësit dihen me emër dhe mbiemër”, ka shkruar në fund Rudi.