Radio Star gjatë ditës së sotme publikoi disa fotografi që tregonin gjendjen e rënduar të rrugës së sapoasfaltuar në magjistralen Gjilan – Ferizaj, duke ngritur shqetësime mbi cilësinë e punimeve. Pas këtyre raportimeve dhe reagimeve të qytetarëve, Komuna e Gjilanit ka dalë me një sqarim zyrtar, duke bërë të ditur se ky projekt është kompetencë e Qeverisë Qendrore dhe financohet nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).
Në reagimin e saj, komuna ka theksuar se nuk është palë në këtë kontratë dhe as në mbikëqyrjen e punimeve, por gjithsesi ndan shqetësimin e qytetarëve dhe i bën thirrje institucioneve përgjegjëse të trajtojnë me seriozitet çdo mangësi të evidentuar.
Komunikata e plotë:
📢 Sqarim për publikun lidhur me rrugën në magjistralen Gjilan – Ferizaj
Pas disa raportimeve në portale dhe reagimeve të qytetarëve për dëmtimet në rrugën e sapoasfaltuar në magjistralen Gjilan – Ferizaj, ndjejmë nevojën të sqarojmë opinionin publik se:
➡️ Ky projekt është në kompetencë të Qeverisë Qendrore, dhe kontrata për ndërtimin e rrugës është lidhur nga institucionet qendrore para mandatit aktual të kësaj qeverie.
➡️ Projekti në fjalë është i financuar nga BERZH (Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim).
➡️ Komuna nuk është palë në këtë kontratë dhe as në mbikëqyrjen e punimeve, prandaj edhe ndërhyrja jonë është jashtë fushëveprimit ligjor dhe institucional.
Edhe ne ndajmë shqetësimin e qytetarëve për gjendjen e kësaj rruge dhe i inkurajojmë institucionet përgjegjëse që të trajtojnë me seriozitet çdo mangësi të evidentuar.
Qytetarët meritojnë projekte cilësore dhe të qëndrueshme. Ne mbesim të përkushtuar për transparencë dhe për mbështetje në çdo rast kur kemi mundësi dhe përgjegjësi konkrete për të vepruar.