Pas vazhdimit të paraburgimit për Rexhep Selimin, trupi gjykues në çështjen gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka vazhduar paraburgimin edhe ndaj Jakup Krasniqit.
“Për arsyet e lartpërmendura, Paneli: a) URDHËRON vazhdimin e paraburgimit të Krasniqit; dhe b) UDHËZON PSP-në të paraqesë parashtresa për shqyrtimin e radhës të paraburgimit të Krasniqit jo më vonë se e mërkura, 24 prill 2024 (ora 16:00), me parashtresat e mëvonshme me shkrim pas afateve kohore të përcaktuara në Rregullën 76”, thuhet në vendim, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në arsyetimin e vendimit thuhet se ZPS-ja ka parashtruar se paraburgimi i Krasniqit mbetet proporcional.
“ZPS-ja argumenton se, duke marrë parasysh të gjithë faktorët, paraburgimi i Krasniqit mbetet proporcional. Për këtë qëllim, ZPS-ja u referohet gjetjeve të mëparshme të Panelit se: (i) Krasniqi akuzohet për dhjetë akuza për krime të rënda ndërkombëtare në të cilat ai pretendohet se luan një rol të rëndësishëm; (ii) nëse dënohet, ai mund të përballet me një dënim të gjatë; (iii) rreziqet e vazhdueshme sipas nenit 41(6)(b)(ii) dhe (iii) nuk mund të zbuten mjaftueshëm me zbatimin e masave alternative të arsyeshme; (iv) çështja kundër z. Krasniqi është komplekse; (v) ekziston një klimë e frikësimit të dëshmitarëve siç është përshkruar më sipër; dhe (vi) progresi vazhdon të bëhet në këtë rast”, thuhet në vendim.
Ndërsa, mbrojtja e Krasniqit në parashtrimet e veta ka thënë se vazhdimi i paraburgimit për klientin e tyre është joproporcional.
“Mbrojtja e Krasniqit argumenton se paraburgimi i vazhdueshëm i Krasniqit është joproporcional. 76 Ajo pohon, në veçanti, se 40 muajt e kaluar në paraburgim janë një periudhë e konsiderueshme kohore për një person i cili nuk është dënuar për ndonjë krim. Për më tepër, ai pohon se modifikimi i kohëve të fundit i kushteve në objektet e paraburgimit tashmë ka pasur një ndikim të rëndësishëm në të drejtat e Krasniqit dhe vizitat e tij familjare, gjë që, nga ana tjetër, ndikon në mirëqenien e tij dhe të drejtën për jetë familjare”, thuhet në vendim.
Ndërsa, në konstatimin e tij Paneli i gjyqtareve kanë thënë se vazhdimi i paraburgimit edhe për dy muaj të tjerë për Krasniqin është i nevojshëm edhe i arsyeshëm në rrethanat specifike të rastit.