Qendra Sociale “Përpjekja” ka zhvilluar sot një aksion simbolik para Gjykatës dhe Prokurorisë në Gjilan, duke shkruar me grafite parulla të forta, pas ngjarjes tragjike që la tre persona të vrarë në qytet.
Aktivistët shprehen se sistemi gjyqësor ka dështuar të mbrojë qytetarët, duke lejuar që autorët e krimit të njohur më herët për mbi 30 raste të dyshimeve dhe akuzave penale të jenë të lirë. Sipas tyre, gjykatat dhe prokuroria po veprojnë si “në shërbim të fajdexhinjve”, duke u bërë bashkëpunëtorë të heshtur të krimit të organizuar.
Komunikata e plotë:
GJYKATA NË SHËRBIM TË FAJDEXHIVE
Rasti i ditës së djeshme në qendër të Gjilanit është tragjik për nga numri i viktimave, por është edhe më dramatik dhe ogurzi për sa i përket ekspozimit të një sistemi gjyqësor i cili më shumë se i dështuar e i paaftë ngjan edhe si bashkëpuntor në krim të organizuar. Dorasit e krimit makabër rezultoi se kanë qenë mbi 30 herë në derën e prokurorisë si të dyshuar e akuzuar për shkelje e vepra të rënda penale, e megjithatë, ata dje në kushte lirie të plotë kryen një akt që më shumë se na tronditi na e nxori zbuluar paaftësinë e shtetit për të na mbrojtur nga keqbërësit ordinerë.
Të mërzitur dhe të revoltuar nga ngjarja, ne, aktivistët e Q.S. “Përpjekja”, vendosëm që ta shkruajmë në muret e Gjykatës atë që dje është thënë e stërthënë në të gjitha tavolinat e diskutimet në të katër anët e qytetit e mbarë Kosovës. Parullat tona janë një ekspozim grafik i asaj të vërtetë që sot u shfaq lakuriq, për të na treguar dhe për të na kërcënuar me heshtje, sepse si dorasit e sotëm, edhe shumë kriminelë të tjerë mund ta kenë blerë lirinë në këto gjykata të cilat duket se e shesin më lirë se mallin e tregut.
Ne do e themi të vërtetën dhe do luftojmë për të edhe sikur të gjitha gjykatat dhe e gjithë policia të na vihen mbi shpindë.
Megjithatë, duhet thënë edhe se nëse organet e shtetit do vepronin me të njëjtin zell kundër fajdexhinjëve, hajdutëve, mashtruesve e vrasësve, siç veprojnë ndaj aktivistëve për shkrimin e parullave, këto të fundit s’do kishin arsye të ndodhnin fare.