Shkruan: Avni Rudaku
E vizitova Parkun e Pishave në Tërpezë të Vitisë. U mahnita. Park i mirëmbajtur me standarde skandinave. Pushimore. Pastërti. Ndërtimi i dy tualetëve, me veshje estetike prej druri dhe dy lavamanë. Shteg për ecje e vrapim. Fushë futbolli. Çezme për pushuesit, e ndërtuar në vitin 2019, nga një donator.
Pas Parkut të Pishave në Tërpezë – që pisha të tilla ishin mbjellë para mbi pesë dekadash në shumë pjesë të Kosovës në kohën e ish-Jugosllavisë, i rashë kah rruga e Arbërisë, kah ish-shkolla e Bujqësisë, ta vizitoja Parkun e Pishave, përskaj rrugës së re e të asfaltuar që mund të shkoni në Uglarë, e të shihni natyrë mbresëlënëse, dele e lopë. Jo vetëm gjatë vizitës së sotme, por sa herë e kam vizituar Parkun e Pishave, ka qenë vendi më i ndotur me mbeturina. Që në hyrje të Parkut të Pishave, mbeturina të panumërta, por një që e veçova për t’u mbushur mllef, ishte guaska (sholja) në hyrje të parkut.
Para disa kohësh, e shkrova edhe një artikull që në një pyllnajë të Verbicës së Kmetocit, ishte hedhur vaska (kada). Tash po e gjeja diku tjetër, në hyrje të pishave madhështore, edhe një guaskë tualeti. Ligjet e natyrës nuk e kalbëzojnë guaskën. Është vrastare ndaj natyrës një mbeturinë e tillë. Është krim ekologjik.
Nuk ma ka marr mendja që një qeverisje normale lokale toleron që Parku i Pishave të jetë vazhdimisht i ndotur. Është turp. Është e pabesueshme. Edhe sikur të privatizohej krejt ky park, nuk do të duhej të lejohej të shndërrohej në park deponie.
Nuk kam fjalë ta përshkruaj një fotografi të tillë. S’ka qeverisje lokale, s’ka medie, s’ka shoqëri civile, s’ka aktivistë qytetarë, s’ka ambientalistë. Ka vetëm ndotës të mjerë.
Marre!