Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani për herë të parë që prej ardhjes në krye të shtetit e fali një të burgosur. Ajo për shkaqe humanitare e fali Arza Cakollin, e cila në vitin 2017 kishte shkaktuar një vetë aksident, ku si pasojë kishin mbetur të vdekura dy shoqet e saj, E. I dhe E. M.
Osmani, mbrëmë ka njoftuar se ia ka falur pjesën e mbetur të dënimit, Arza Cakollit, e cila ishte bërë nënë në kohën kur po e vuante dënimin në burg.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka publikuar pamje të Arzas dhe foshnjës së saj pas lirimit nga burgu.
Presidenca ka njoftuar se është bërë për arsye humanitare.
“Sapo kemi pranuar Dekretin e Presidentes së Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani Sadriu, për faljen e pjesës së mbetur të dënimit të Arza Cakollit, Ministria e Drejtësisë ka ndërmarrë menjëherë të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e tij. Arza Cakolli sapo është liruar dhe së bashku me fëmijën e saj i janë bashkuar familjes. Siç është njoftuar edhe nga Presidenca, falja është bërë për arsye humanitare, dhe për këtë, falënderojmë Presidencën për bashkëpunimin”, ka shkruar Haxhiu në Facebook, ku ka publikuar edhe foto të Arzës bashkë me foshnjën e saj.