Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Gjilanit, Arbër Ismajli, ka ushtruar të drejtën e votës së bashku me familjen e tij. Pas votimit, Ismajli u bëri thirrje qytetarëve të dalin në zgjedhje, duke theksuar se çdo votë është e rëndësishme për të ardhmen dhe zhvillimin e komunës.
Ai tha se beson në një Gjilan që ecën përpara me bashkëpunim, respekt dhe përkushtim qytetar.
Të dashur qytetarë,
Bashkë me bashkëshorten time, Arta Berisha Ismajli, dhe djalin Artin, votuam me zemër plot besim e shpresë për të ardhmen që e duam.
Ky veprim qytetarë përveç që është një e drejtë themelore, është edhe një përgjegjësi që e ndjejmë thellë si qytetarë të këtij vendi që duam ta shohim duke lulëzuar.
Votuam me bindje për zhvillim, për dinjitet, për progres dhe për një Gjilan që ecën përpara me punë, me dashni e me bashkim.
🙌🏼Ftoj secilin prej jush që ende nuk ka votuar, të dalë me krenari dhe ta shfrytëzojë këtë mundësi për të ndikuar në të ardhmen tonë të përbashkët.
Çdo votë ka peshën e saj. Është zëri i qytetit tonë që kërkon ndryshim dhe beson në të mirën publike.
Le ta dëshmojmë edhe sot kulturën tonë qytetare, me qetësi, respekt dhe dashni për qytetin e Gjilanit.
Përgjithmonë i juaji,
Arbër R.Ismajli 🫶🏻









