Parlamenti Evropian, ka miratuar një rezolutë përmes së cilës ka shprehur shqetësime për diskriminimin e pakicave kombëtare në Serbi. Në pjesën raportit ku përmenden shqiptarët, Parlamenti Evropian vlerëson se pasivizimi i mijëra adresave të shqiptarëve nga Serbia është zbatim kufizues dhe arbitrar i ligjit.
Nëse në tërësi nuk po arrihet të ndalohet diskriminimi i shqiptarëve në Serbi, të paktën në sferën ndërkombëtare ka arritur të futet në listën e problemeve që po evidentohen dhe po kërkohet të zgjidhet.
Përmes një rezolute të miratuar mbi raportet e Komisionit për Serbinë për vitet 2023 dhe 2024, Parlamenti Evropian, ka dhënë vërejtje dhe ka shprehur shqetësime për diskriminimin e pakicave kombëtare.
Pika 46 e raportit thotë se liria e shprehjes, qasja në informacion nga mediat, mbrojtja e të drejtave të pakicave, identiteti kulturor, arsimimi për pakicat dhe hetimi i krimeve të motivuara nga urrejtja, janë fusha në të cilat Serbia i mbron pakicat vetëm formalisht.
Mungesa e arsimimit në gjuhën amtare, mungesa e teksteve shkollore, mungesa e mësuesve e shumë fusha të tjera përmenden në këtë raport.
“… i bën thirrje Serbisë të sigurojë të drejtën për të përdorur emra dhe gjuhë specifike për grupet minoritare, duke përfshirë gratë brenda komunitetit bullgar; vëren me shqetësim se jo të gjitha tekstet shkollore janë përkthyer në bullgarisht; i bën thirrje qeverisë serbe që të sigurojë të drejta reciproke të barabarta për pakicën kroate në Serbi, siç gëzon minoriteti serb në Kroaci, veçanërisht në lidhje me sigurimin e përfaqësimit të tyre reciprok në të gjitha nivelet e qeverisjes, duke përfshirë nivelin rajonal dhe lokal; rithekson shqetësimin e saj në lidhje me zbatimin kufizues dhe arbitrar të Ligjit për Qëndrim të Përhershëm dhe të Përkohshëm lidhur me pasivimin e adresës së mijëra shqiptarëve në jug të Serbisë…”, deklaroi Ragmi Mustafi – Ish-kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar.
Rezoluta që përkitazi flet për diskriminimin ndaj shqiptarëve, nënvizon se respektimi i të drejtave të pakicave kombëtare është një kusht thelbësor për përparimin e Serbisë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE.
“Ne presim që përtej raportimit dhe evidentimit të shkeljeve, shtypjes diskriminimit të shqiptarëve në Luginë të Preshevës, të ketë edhe akte më tutje, përkatësisht të procesohen në komisionet përkatëse, dhe Bashkimi Evropian përfundimisht të marr masat e nevojshme për ta përmirësuar gjendjen me të drejtat e njeriut dhe pakicave në Serbi, dhe rrjedhimisht në pozitën e vështirë të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë…”, shtoi Mustafi.
Mustafi thotë se shifrat e nxjerra ndër vite tregojnë se numri i adresave të pasivizuara flet për mijëra shqiptarë të cilëve iu mohohet e drejta për çfarëdo shërbimi në Serbi, sepse kjo është bërë në mënyrë selektive me pretendimin se për një periudhë të caktuar nuk kanë jetuar në shtëpitë e tyre.
Në raportin e Komitetit të Helsinkit për të drejtat e njeriut në Serbi, pasivizimi i adresave të shqiptarëve ishte vlerësuar spastrim etnik me mjete administrative.