Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka vazhduar kritikat ndaj kryetarit të VV-së, Albin Kurti, për ngërçin politik.
Ajo ka vlerësuar se tash e gjashtë muaj nuk flitet për problemet e qytetarëve të Kosovës.
Në një intervistë për “Ekonomia Online”, ajo ka thënë se për gjatë muaj Kosova flet vetëm për egon e Albin Kurtit dhe ambiciet e Albulena Haxhiut.
“Është një skenar, të cilin nuk kemi mundur ta imagjinojmë në vitin 2008, kur kemi shpallur pavarësinë dhe kur kemi pranuar njohje të fuqishme ndërkombëtare. Pasojat po i vërejmë çdo ditë. Ne tash e gjashtë muaj nuk flasim për 200 mijë pensionistë të Kosovës, të cilët në fund të muajit duhet të zgjedhin mes barnave dhe ushqimit. Nuk flasim për mijëra mësues dhe punëtorë të sektorit të arsimit, të cilët ballafaqohen me sfida të mbijetesës. Nuk flasim për policët, nuk flasim për ushtarët, nuk flasim për mjekët, nuk flasim për 140 mijë punëtorë të sektorit privat, vendet e punës të të cilëve po rrezikohen nga vendimet arbitrare të qeverisë Kurti në sektorin e energjisë. Tash e gjashtë muaj ne flasim për egon e një njeriu: Kurtit dhe ambicien e Haxhiut për t’u bërë kryekuvendare”, ka thënë Çitaku.
Deputetja e PDK-së ka thënë se Kosova gjendet në një situatë komplet të paimagjinueshme.
“Është situatë tërësisht e paimagjinueshme për një shtet i cili ka fituar lirinë 26 vjet më parë dhe pavarësinë në vitin 2008. Kjo liri dhe kjo pavarësi ka ardhur me një kosto të lartë, me një sakrificë të gjeneratave të tëra që kulmuan me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ka ardhur edhe si rezultat i një mbështetjeje të fuqishme të botës perëndimore. Fatkeqësisht, kasta e tanishme e udhëheqësve të institucioneve të Kosovës i ka trajtuar me nënçmim aleancat dhe ka rrënuar urat e bashkëpunimit, të cilat ne i kemi ndërtuar me shumë mund dhe shumë sakrificë”, ka thënë Çitaku.