Qindra vullnetarë i janë bashkuar aksionit të madh të pastrimit që u organizua dje në Gjilan Vullnetarët e shumtë u mobilizuan për pastrimin e qytetit të Gjilanit si dhe pastrimin e hapësirës përreth Liqenit të Livoqit. Aksioni i sotëm “Ta Pastrojmë Gjilanin” ishte vazhdimësi e 5 Qershorit, Ditës Botërore të Mjedisit, ndërsa u organizua nga Komuna e Gjilanit, Organizata “Let’s Do It Kosova”, dhe u mbështet nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
Përveç aksionit të pastrimit dhe mbjelljes së drunjve dekorativ, u organizuan edhe aktivitete të tjera vetëdijesuese , siç ishte pikturimi në natyrë. Drejtori i Let’s Do It Kosova, Luan Hasanaj, fillimisht falënderoi kryetarin e Komunës së Gjilanit, Lutfi Hazirin, për pjesëmarrje në aksionin e sotëm dhe mbështetjen e vazhdueshme të tij për aktivitetet që Let’s Do It Kosova organizon në Gjilan.
Ai u shpreh i lumtur që secilën herë Gjilani po bëhet qyteti më i pastër, ku përmendi Parkun e Qytetit, i cili tani është i gjelbëruar. “Kryetarin e Komunës së Gjilanit e falënderoj për bashkëpunim të vazhdueshëm. Kur e shohim këtë vullnet politik të Kryetarit, na jep shpresë që Komuna e Gjilanit do të jetë një komunë e pastër dhe në afat të shpejtë nuk do të përballet me deponi ilegale e vetëdije të ulët të qytetarëve për mbrojtje të mjedisit”, tha Hasanaj, thuhet në njoftimin e dërguar nga “Let’s Do It Kosova”.
Gjatë fjalimit të tij, ai falënderoi edhe Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, e cila po përkrah fushatën “Ta Pastrojmë Kosovën” për këtë vit. “Është shumë mirë që institucionet qendrore, lokale e shoqëria civile po bashkëpunojnë për organizimin e aktiviteteve të tilla të përbashkëta. Në emër të Let’s Do It Kosova shpreh gatishmërinë për vazhdimin e këtij bashkëpunimi dhe kontributin që vendin tonë ta bëjmë vendin më të pastër”, deklaroi ai. Hasanaj iu bëri thirrje të gjithëve që të bashkohen në aksionin për pastrimin e Kosovës, që do të ndodhë më 15 shtator të këtij viti, në Ditën e Pastrimit të Botës.
Në anën tjetër, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri tha se sot në Gjilan janë bashkë me partnerin e përhershëm, Let’s Do It Kosova, për organizimin e aktiviteteve që kanë të bëjnë me ruajtjen e mjedisit. Ai premtoi se aktivitetet e tilla të përbashkëta do të vazhdojnë. “Jemi sot këtu me partnerin tonë të përhershëm për aktivitete që kanë të bëjnë me ruajtjen e mjedisit, Let’s Do It Kosova. Së bashku do të vazhdojmë me aktivitete deri në rritjen e vetëdijes së qytetarëve, pastrimin e deponive ilegale të mbeturinave, mbjelljes së fidanëve si dhe bërjen e Gjilanit një shembull për mjedis të pastër dhe të gjelbër.
Gjilani veçse po njihet për atë sepse Dobërqani është fshati më i pastër në Kosovë”, tha Haziri. Edhe ai u bëri thirrje të gjithëve që më 15 shtator të këtij viti, t’i bashkohen fushatës për Ditën e Pastrimit të Botës dhe të mos përdorin plastikë. Të gjithë pjesëmarrësve në aktivitetet e sotme iu sigurua një shujtë, pije dhe pajisje të nevojshme. Ndërsa, përveç pjesëmarrjes së vullnetarëve të shumtë, Let’s Do It Kosova dhuroi edhe thasë për mbeturina, maica, dorëza si dhe çanta tekstili. Po ashtu, LDIK mundësoi që në bashkëpunim me Kompaninë për Menaxhimin e Deponive, mbetjet e grumbulluara të dërgohen në deponi legale.
Në aksion, Kompania “Ecohigjiena” ofroi makinerinë e saj për largimin e mbeturinave, ndërsa Let’s Do It Kosova ka ofruar derivate, përmes projektit që financohet nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Aksionit iu bashkuan të gjitha Drejtoritë e Komunës së Gjilanit, ku përveç pjesëmarrjes së stafit të tyre në aksion, ishin të angazhuara edhe në organizimin e aksionit. Në aksion morën pjesë edhe ndërmarrje publike, nxënës të shkollave, rotarianë, administrata e Komunës, vullnetarë nga organizata e qendrës rinore dhe qytetarë të Komunës së Gjilanit./21Media