Partia Demokratike e Kosovës do të mbajë Konventën Zgjedhore më 21 qershor, ku pritet të zgjidhet kryetari i ri i partisë.
Këtë e ka bërë të ditur Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, në një konferencë për media të mbajtur të enjten.
Sipas saj, Memli Krasniqi do të jetë kandidati i vetëm për postin e kryetarit të partisë, të cilin aktualisht e mban që nga viti 2021.
“Nën udhëheqjen e Kryetarit Memli Krasniqi, katër vitet e fundit kanë qenë vite të punës, reformës dhe ringritjes për PDK-në. Ne kemi shënuar fitore të rëndësishme në zgjedhjet lokale, kemi rritur ndjeshëm mbështetjen qytetare në zgjedhjet e 9 shkurtit dhe kemi bërë hapa të mëdhenj drejt ndërkombëtarizimit të partisë sonë”, ka deklaruar Çitaku.
Ajo theksoi se kandidatura e vetme e Krasniqit dëshmon për mbështetjen dhe besimin që ai gëzon brenda partisë.
“Partia Demokratike e Kosovës është parti me përvojë shtetformuese, me histori ndërtuese, dhe me kapacitet për të udhëhequr Kosovën drejt kapitullit të ardhshëm të zhvillimit dhe integrimit euroatlantik. Ndaj, me këtë Konventë, ne nuk po zgjedhim vetëm drejtimin e partisë, por po përgatitemi për drejtimin e vendit”, tha ajo.