Partia Demokratike e Kosovës ka çuar në Gjykatën Kushtetuese disa nga ligjet që u miratuan në seancën e 5 dhjetorit.
Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri tha se bëhet fjalë për 16 projektligje, shkruan Reporteri.net.
Ai tha se 15 prej tyre kontestohen në procedurë, ndërsa një prej tyre edhe në përmbajtje.
“PDK do t’i procedojë në Kushtetuese ligjet që janë miratuar në seancën e 5 dhjetorit. Ajo seancë ka përcaktu një standard jashtëzakonisht të dobët dhe kanë dhunuar jetën parlamentare në vendin tonë. Nuk besoj që një formë të tillë mundemi me gjetë në ndonjë parlament në Evropë ku dhunohet në atë formë kushtetutshmëria e Kosovës.
Sot i kemi proceduar në Kushtetuese 16 projektligje. Prej tyre 15 konstatohen vetëm në procedurë, ndërsa një edhe në përmbajtje. Nuk mundem me besu se si kryetari i Kuvendit e dhunon procedurën. Ligji për Byronë Shtetërore kontestohet edhe në procedurë edhe në përmbajtje”, tha Tahiri para mediave.