Partia Demokratike e Kosovës vlerëson se vendi ndodhet përpara një momenti vendimtar politik dhe institucional, që kërkon vendime të qarta, të përgjegjshme dhe në përputhje me realitetin politik në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Partia Demokratike e Kosovës, e ka vlerësuar tentativë për humbje kohe mandatimin e Glauk Konjufcë për kryeministër nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.
Në një komunikatë për media nga kjo parti kanë thënë se njëjtë si Kurti që dështojë për të siguruar votat do të dështojë edhe Konjufca.
“Në një situatë ku është e qartë se shumica shqiptare në Kuvend, së bashku me disa deputetë të komuniteteve joshumicë joserbe, kanë shprehur qëndrimin e prerë se nuk kanë votë për një mandatar tjetër nga Lëvizja Vetëvendosje, çdo tentativë për t’ia dhënë sërish mandatin kësaj partie do të përbënte humbje kohe, zvarritje të panevojshme dhe thellim të mungesës së besimit në institucione.Ashtu siç dështoi Albin Kurti për të siguruar shumicën, do të dështojë çdo përpjekje tjetër për ta zgjatur artificialisht këtë proces nga Lëvizja Vetëvendosje. Realiteti politik është i qartë: askush nuk e ka shumicën për të formuar qeverinë nga kjo legjislaturë”, thuhet në komunikatën e PDK-së.
Nga kjo parti kanë thënë se zgjedhjet e reja janë zgjidhja për daljen nga kriza.
“Në emër të përgjegjësisë dhe të besimit qytetar, Partia Demokratike e Kosovës bën thirrje për t’i dhënë fund çdo skeme zvarritëse, çdo improvizimi politik dhe çdo përpjekjeje për ta mbajtur peng shtetin për interesa të ngushta partiake. Aktualisht, zgjidhja e vetme e drejtë dhe demokratike janë zgjedhjet e reja të parakohshme, që do t’i kthejnë sovranit, qytetarit të Republikës së Kosovës, të drejtën për të vendosur drejtimin e ardhshëm të vendit dhe për t’i dhënë legjitimitet institucioneve të reja”, thuhet nga PDK.









