Avokati i grupit parlamentar të PDK-së, Faton Fetahu, ka thënë se Projektligji për Byronë për konfiskimin dhe verifikimin e pasurisë së pajustifikueshme, prek limitet e Kushtetutës.
“Konsiderojmë se do të cenohen në esencë disa nga garancionet ose të drejtat dhe liritë kushtetuese, si paprekshmëria e pronës, siguria juridike e qytetarëve, cenimi i barazisë së qytetarëve para ligjit, cenimi i parimit të prezumimit të pafajësisë, cenimi i të drejtës së privatësisë, e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, dhe cenohen edhe kompetencat e përgjithshme kushtetuese të organeve ndjekëse”, ka thënë Fetahu në Klan Kosova.
Avokati Fetahu u shpreh se projektligji thotë se do të monitorohet stili i jetesës së zyrtarit publikë përmes rrjeteve sociale, që sipas tij, preket e drejta në privatësi dhe është ndërhyrje direkte në kompetencat e Agjencisë për Informim dhe Privatësi.
“Ky ligj përjashton Prokurorinë, atë që do të duhej ta bënte Prokuroria, e bën Byroja politike e kësaj qeverie. Është humbje kohe, e qytetarëve, e këtij shteti dhe e institucioneve, marrja me këtë ligj. Disa po fshihen nga ideja se po përpiqen të mos humbin vota, dhe po thonë ‘ne nuk jemi kundër procesit të konfiskimit’, ju lutem mos i tallni qytetarët. Ky projektligj është fyerje për qytetarët. Ky projektligj nuk do ta kalojë testin e Kushtetutës, e ka thënë edhe Komisioni i Venecias”, u shpreh tutje Fetahu.
Krejt në fund, Fetahu tha se nëse ky ligj kalon testin e Kushtetutshmërisë, nuk do të ketë më Kushtetutë, por diktaturë.
“Nëse ky ligj e kalon testin e kushtetutshmërisë, unë mendoj se Kushtetutë nuk do të kemi, do të kemi diktaturë. Pra duhet të zgjedhim, ose këtë projektligj, ose Kushtetutën. Të dyja këto bashkë nuk shkojnë”, përfundoi Fetahu.